Jetesë & Stil

Pas 27 vjetësh, përfundon edhe zyrtarisht martesa e Bill Gates me Melinda French Gates


Bill Gates, Melinda French Gates

Bashkëthemeluesi i “Microsoft” Bill Gates dhe Melinda French Gates janë divorcuar edhe zyrtarisht, pas 27 vjetësh martesë.

Një paraqitje në Gjykatën Superiore të Qarkut në Washington, e bëri divorcin zyrtar, tre muaj pasi çifti njoftoi ndarjen e tyre për publikun.

Në marrëveshjen përfundimtare, të firmosur në Gjykatën e Lartë të Washington-it dhe të siguruar nga “E!News”, theksohet se nuk është urdhëruar asnjë vendim gjyqësor rreth përfitimeve monetare, nga Melinda e as nga Bill.

Bill Gates dhe Melinda French Gates me fëmijët e tyre.

Tashmë Melinda dhe Bill Gates do të ndjekin përfundimisht rrugë të ndara. Ata janë prindër të dy vajzave, Jennifer Gates 24 vjeçe dhe Phoebe Gates 18 vjeçe. Po ashtu ish-çifti kanë një djalë, Rory Gates 21 vjeç.

Ndërsa, kohë më parë të dy kishin rënë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku për filantropinë, por që tani është e mundur që bashkëpunimi gjithashtu të përfundojë së bashku me martesën.

Muajin e kaluar “Fondacioni Bill & Melinda Gates”, ku të dy janë bashkë-kryesues, tha se – “Melinda French Gates do të japë dorëheqjen nëse pas dy vitesh secili prej të dyve arrin në përfundimin se ata nuk mund të punojnë së bashku”.

Bill Gates dhe Melinda French Gates ishin ndër çiftet më të spikatur në biznesin global, pasi kishin punuar dikur së bashku, ndërsa të pakta nuk ishin as intervistat e përbashkëta mediatike.

Gates filloi punën në “Microsoft” me Paul Allen në vitin 1975, ndërsa Melinda French Gates kishte punuar në këtë kompani nga viti 1987 deri në vitin 1996.

Gjithashtu, në vitin 2019, “Microsoft” mori një raport se Bill Gates ishte përpjekur të fillonte një marrëdhënie intime me një punonjës.

Gates u largua nga bordi i “Microsoft” në fillim të vitit 2020, por një zëdhënës i Bill Gates, tha për “New York Times” se vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen nuk kishte lidhje me këtë çështje.

Sot, Bill Gates është personi i katërt më i pasur në botë, me një pasuri neto prej 152 miliardë dollarësh, sipas “Bloomberg”.

Ndërsa, Melinda French Gates kohët e fundit ka qenë aktive në filantropi në lidhje me barazinë gjinore, së bashku me MacKenzie Scott, ish -gruan e Themeluesit të “Amazon Jeff Bezos”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore