Lajme

Partitë politike në Kosovë jo transparente me shpenzimet e fushatës – “kjo është e rrezikshme”


Partitë politike në Kosovë nga kjo e mërkurë “i kanë hapur kuletat” pasi ka nis zyrtarisht fushata zgjedhore në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Brenda 10 dite sa zgjatë fushata e shkurtuar për shkak të pandemisë, ato pritet të shpenzojnë shuma të konsiderueshme të parave.

Për këtë çështje, Albanian Post ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re, se sa para kanë planifikuar të shpenzojnë dhe kush do t’i mbështet financiarisht, por që asnjë nga to nuk kanë kthyer përgjigje.

Mos deklarimi e donatorëve nga subjektet politike sipas Besnik Boletini, hulumtues në organizatën joqeveritare Çohu është diçka e rrezikshme.

“Mbështetësit e partive janë shpaguar shumëfish përmes tenderëve publikë për kontributin e dhënë. Sipas një hulumtimi që e kemi realizuar, rezulton se rreth 220 milionë euro i kanë përfituar financuesit e partive politike nga tenderët publikë përgjatë një periudhe kohore gusht 2007 – maj 2014”, tha Boletini.

Hulumtuesi Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol kërkon që financimi i subjekteve politike gjatë periudhës së fushatës të jetë më transparent. Ky thotë se partitë duhet ofruar qasje ‘online’ të gjithë qytetarëve dhe palëve të interesuara.

“Subjektet politike duhet të hapin llogari të veçanta bankare për financimin dhe shpenzimet e tyre gjatë fushatës, të cilat duhet të jenë transparente dhe të qasshme për publikun, në faqen elektronike të KQZ-së, ndonjë portal tjetër, ose në faqet elektronike të vetë subjektit politik apo kandidatëve.”, potencoi Hoxha.

Në anën tjetër Boletini mendon që Ligji aktual për financimin e partive politike ka mangësi të shumta. “Ligji obligon vetëm partitë politike që të deklarojnë pranimin e kontributeve por nuk e adreson një kërkesë të tillë edhe për kandidatët që garojnë për deputet “.

Po ashtu, Boletini thekson se ligji parasheh masa shumë të buta ndëshkimore për partitë politike në rast se ato nuk u përmbahet kërkesave ligjore.

“Këto masa të buta në fakt kanë bërë që partitë politike në vazhdimësi të shkelin normat ligjore në fuqi”, shtoi Boletini.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i obligon të gjitha partitë politike që pas çdo palë zgjedhje, subjektet politike që garojnë në zgjedhje duhet të dorëzojnë raportin financiar të fushatës 45 ditë pas ditës së zgjedhjeve. Zgjedhjet në Kosovë pritet të mbahen me 14 shkurt të këtij viti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore