Lajme

Partitë opozitare në Kosovë kundër masave të reja anti-COVID


Partitë opozitare në Kosovë janë shprehur kundër masave të reja anti-COVID nga Qeveria të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga e mërkura.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post tha se “praktika e sprovuar para një viti e izolimit te qeverise 50 ditëshe te Kurtit kur shëndetësia vetëm jepte raporte, me mundësi të kufizuara testimi, pak shtretër, pak respiratorë, me pak mjete dhe pajisje mbrojtëse, me resurse humane të limituara, dhe mungesës së gjithëpërfshirjes për frontin e përbashkët, sot është e pabesueshme që të aplikohet e njëjta metodë”.

“Vendimmarrja për izolim qoftë edhe të pjesshëm, pa strategji të vlerësimit dhe harmonizimit të gjithmbarshëm, do ta thellojë përkeqësimin e gjendjes”, tha Zemaj.

Kundër mbylljes janë edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti i kësaj partie potencoi për Albanian Post se mbyllja pa konsultim me gjithë akterët është e paarsyeshme.

Ai shton se Qeveria Kurti nuk ka opsion tjetër pos mbylljes.

“Në ditëve të fundit kemi pas rënie të rasteve. Mbyllja e pa nevojshme dhe e paarsyeshme dhe pa konsultim me gjithë akterët. Ajo çka e kemi pa edhe në qeverinë Kurti 1 dhe në Kurt 2, zgjidhja e pandemisë për ta është mbyllja. Jemi kundër mbylljes, por jo kundër masave mbrojtëse. Ne nuk kemi parë asnjë veprim konkret të Kurtit për vaksinim të popullatës. Mbyllja është falimentim për bizneset”.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, theksoi se “Kosova nuk ka nevojë për masa që mbrojnë̈ pushtetin e politikanët, por ka nevojë për masa që e ruajnë̈ qytetarin dhe ekonominë̈ e vendit”.

“Çdo vendim që nuk konsultohet me komunat, me odat ekonomike dhe akterët tjerë e kthen Kosovën prapa”.

“Shëndeti i qytetarëve ruhet duke respektuar masat me përpikëri të IKSHP-së dhe me inspektim rigoroz. Mos e bankrotoni shtetin”, shtoi Tahiri për Albanian Post.

Të hënën, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia në bashkëpunim me qeverinë, ka vendosur kufizimin e lëvizjes për qytetarët nga ora 22:00 deri në 5:00, përveç rasteve urgjente shëndetësore.

Të gjitha shërbimet e gastronomisë do pezullohen, përveç shërbimit “merr me vete” dhe “dërgesë me porosi”.

Institucionet publike dhe private të arsimit para universitar do jenë online nga data 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga data 7 deri më 18 prill.

Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të hynë në Kosovë, duhet të kenë testin RT-PCR negativ, i cili është bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë.

Ndalohet përdorimi i fitneseve ose aktiviteteve të tjera sportive në ambiente të mbyllura.

Po ashtu, marketet, furrat dhe barnatoret do të lejohen të operojnë me orar të plotë.

Masat do të rivlerësohen pas dy javëve dhe nëse ka ulje të rasteve, atëherë ato mund të ndryshojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore