Lajme

Partitë në Serbi me qëndrime të ndryshme sa i përket marrëveshjes me Kosovën


Ilustrim Kuvendi i Serbisë

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në takimin e 27 shkurtit në Bruksel ndërsa më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut u pajtuan për aneksin e planit të zbatimit të Marrëveshjes në fjalë.

Në Serbi, partitë opozitare janë të ndara dhe me qëndrime të ndryshme sa i përket kësaj marrëveshje.

Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Groviç, është shprehur se ka një keqkuptim me atë se nëse diçka nuk është nënshkruar, rrjedhimisht nuk është edhe obliguese, por kjo sipas tij nuk qëndron.

“Fakti është se marrëveshja u pranua gojarisht dhe u bë politikisht detyruese për Serbinë, dhe ajo pastaj u bë pjesë e procesit të negociatave për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian”, tha Groviç.

Ndërsa, si dilemë më të madhe të Serbisë momentalisht, ai e konsideroi çështjen nëse Serbia dëshiron të vazhdojë në rrugën evropiane apo jo.

“Nëse duam të vazhdojmë, ne e dimë se cilat janë kushtet. Le ta bëjmë sa më shpejt, të marrim guxim politik dhe të marrim vendime të rëndësishme politike”, shtoi ai.

Tutje, Groviç vlerësoi se përmbajtja e marrëveshjes nuk është ajo “që do të dëshironte Serbia”, por beson se është “epilog logjik i një procesi tridhjetëvjeçar shpërbërjes së shtetësisë serbe në Kosovë”.

Por, ndryshe nga ai mendon kryetari i Lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviç – i cili përsëriti qëndrimin e tij kundër marrëveshjes, madje ftoi qytetarët serbë në mbarë Serbinë në një protestë të premten e 24 marsit, e cila do të jetë në funksion të kundërshtimit të marrëveshjes tanimë të pranuar nga Serbia dhe nga Kosova.

“Normalizimi nuk mund të arrihet duke shkelur kushtetutën, duke njohur pasaportat dhe të gjitha dokumentet kombëtare, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ëshët shprehur Obradoviç.

Zgjidhjen e problemit me Kosovën, ai e sheh duke mos pranuar dhe mos nënshkruar asgjë që vjen nga Perëndimi, përderisa “konflikti në Ukrainë vazhdon”.

Dhe, po ashtu, Grobviç u deklarua se “nuk do të shkojë” në takim me presidentin serb për tu konsultuar rreth marrëveshjes me Kosovën.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç ka thënë atë që shefi i i partisë së tij dhe njëkohësisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka bërë të ditur tanimë.

“Është se ne do të flasim me Kosovën, për të folur për ato gjëra që janë më të rëndësishme për jetën e përditshme të njerëzve, për lehtësimin e asaj jete, por edhe për relaksimin e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve në mënyrë që të mos ketë tensione dhe konflikte”, tha Orliç.

E, anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste të Serbisë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, u shpreh se e sheh “në prizmin e përmisimit të jetës së serbëve” që jetojnë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore