Lajme

Partia ultra-nacionaliste serbe kërkon “mbledhje urgjente” të KS të OKB-së, pas takimit Kurti-Vuçiç


Milica Gjureviç-Stamenkovski, kryetare

Partia e të djathtës ekstreme me elemente ultra-nacionaliste në Serbi, “Zavetnici”, u ka bërë thirrje krerëve të shtetit serb që të kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “mbledhje urgjente” lidhur me situatën aktuale në Kosovë.

Përmes një deklarate me rastin e takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten e 18 gushtit në Bruksel, kjo parti ka vlerësuar se qëndrimet e popullit serb në Kosovë nuk mund të mbrohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk është reale të pritet që qëndrimet e shtetit të Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë do të dëgjohen dhe do të mbrohen në mënyrë adekuate në kuadër të dialogut nën mandatin e BE-së”.

Për këtë parti, karta e OKB-së nuk e ka autorizuar BE-në, ShBA-në dhe NATO-n që të kujdesen për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Nëse përfaqësuesit e krerëve shtetërorë tashmë pretendojnë se e drejta ndërkombëtare publike është diçka mbi të cilën ata i bazojnë qëndrimet e tyre në këto negociata, atëherë është e nevojshme që ata t’i përmbahen kësaj të drejte në mënyrë konsistente, esenciale dhe parimore”, thuhet në njoftim, transmeton mediumi serb “Danas”.

Kjo parti ka kërkuar edhe mbajtjen e seancës së posaçme të Kuvendit të Serbisë për situatën në Kosovë.

Partia ultra-nacionaliste serbe kërkon seancë të jashtëzakonshme para takimit Kurti-Vuçiç

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore