Lajme

Partia Liberale Egjiptiane ankimon në Gjykatën Kushtetuese për rikthimin e mandatit në Kuvend


Orkestrimi i votave në vendbanimet serbe nëpërmjet “Romani Iniciativa” ka bërë që komunitetit egjiptian t’i mohohet e drejta konsideron Veton Berisha, Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane.

Ankesa të cilën e dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese të martën, ka të bëjë me mohimin e të drejtës së tyre në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit.

Partisë Liberale Egjiptiane para se të dorëzoj këtë ankesë në Gjykatën Kushtetuese kishte shterur të gjitha procedurat paraprake ligjore dhe procedurale, si në PZAP po ashtu edhe në Gjykatën Supreme.

Nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, ky subjekt politik synon rikthimin e mandatit në Kuvendin e Kosovës të humbur padrejtësisht për komunitetin egjiptian, një e drejtë legjitime e përcaktuar nga vota e komunitetit egjiptian dhe ligjeve në fuqi në vend.

Berisha paralelisht me ankesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ka dorëzuar ankesë edhe tek Avokati i Popullit, ku nga ky institucion kërkon identifikimin veprimeve diskriminuese dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë dhe pas procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Pas dorëzimit të ankesës në Gjykatën Kushtetuese, para mediave Berisha ka thënë se po e vazhdon betejën e tij në raport me Iniciativën Rome.

“Unë po e vazhdon betejën në raport me Iniciativën Rome, e cila veç është konfirmuar edhe nga PZAP edhe nga Gjykata Supreme se kjo ka qenë pjesë e orkestrimit të votave në vendbanimet me serb, pra si parti rome por, votat i ka të marra nga komuniteti serb me shumicë absolute”, është shprehur ai.

Tutje Berisha ka deklaruar se po e konteston vendimin e PZAP-së dhe atë të Gjykatës Supreme, sepse ato janë sipas tij të pjesshme, të anshme, rrjedhimit me anë të kësaj ankese beson që Gjykata Kushtetuese do t’ia kthej mandatin komunitetit egjiptian.

”Ne po kontestojmë vendimin e Gjykatës Supreme dhe të PZAP-së për faktin që ai vendim ka qenë vendim i mangët, vendim i pjesshëm, vendim i anshëm dhe i padrejtë ndaj nesh. Ju e dini që përfaqësuesit e komunitetit boshnjak, partia e cila është kontestua në tërësi është largu, duke qenë vendim i plotë për komunitetin boshnjak ndërsa për komunitetet tona ka qenë i pjesshëm. Unë përpos asaj që duhet t’i kthehet mandati komunitetit egjiptian, mendoj se nëse nuk ndryshon, kam shumë besim tek Gjykata Kushtetuese”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore