Lajme

Partia e Sanna Marin po shkon drejt humbjes në zgjedhjet e së dielës


Finlanda do të mbajë zgjedhjet parlamentare, të dielën e 2 prillit, ku përballë, në garën për të qenë kryeministër i ardhshëm i vendit, do të jenë tre fronte krejtësisht të ndara dhe sipas sondazheve të fundit të realizuara, Sanna Marin e rrezikon pozitën e saj.

Kryeministrja aktuale madje, në anketimin e fundit përpara zgjedhjeve, është radhitur e treta, me forcën e saj politike Social Demokrate.

Transmetuesi shtetëror Yle, nxjerr aktualisht fitues rivalin e qendrës së djathtë, Petteri Orpo, i cili mund të marrë shumicën në vend me ndryshore shumë të vogël.

Sipas sondazhit, ai do të marrë 19.8% me koalicionin e tij Nacional.

Nga ana tjetër, Partia e Finlandezëve, një forcë politike në kufijtë e radikalizmit euroskeptik dhe drejtuar nga Riikka Purra, gjendet shumë pranë frontit të Orpo-s, me 19.5%.

Social Demokratët e Sanna Marin ndërkaq, ndjekin me 18.7%.

Ajo çfarë shpreson më shumë kryeministrja aktuale, është përtej marzhit të gabimit të sondazheve, edhe situata e fundit lidhur me anëtarësimin e Helsinkit në NATO, pas dritës jeshile të marrë së fundmi nga Turqia.

Kjo e fundit e ratifikoi më në fund në Parlament marrëveshjen e anëtarësimit të Finlandës në NATO, duke e bërë thjesht çështje procedurale dhe burokratike anëtarësimin në ditët në vijim.

Ky do të ishte një rezultat me rëndësi për 34-vjeçaren Marin, e cila e mori tagrin e kryeministres në vitin 2019, duke u kthyer jo vetëm në drejtuesen më të re të ekzekutivit, por edhe në më të pëlqyerën e këtij shekulli për finlandezët.

Shpesh herë gjatë rrugës, ajo u godit me sulme nga kundërshtarët, të bazuar kryesisht në jetën e saj private, me video të publikuara në festa të shfrenuara mes miqsh e me dyshime të hedhura se ajo konsumon edhe lëndë të forta narkotike.

Akuza, të gjitha ranë poshtë të gjitha, pas nënshtrimit të saj ndaj një testi të kokainës, ku rezultoi se nuk kishte konsumuar të tillë.

Mirëpo, pavarësisht se ka premtuar se do të ndreqë ekonominë e vendit, borxhi publik ka shkuar nga 64$ në 73% në mandatin e saj dhe kjo ka qenë një pikë ku kundërshtarët, kanë synuar fort ta godasin.

Me vetë Marin, të pa shqetësuar nga borxhi, i cili është i përkohshëm në këto nivele dhe i adresohet edhe krizës inflacioniste, Nacionalët e Orpos kanë zgjedhur të “joshin” votuesit me një plan për shkurtimin e shpenzimeve në vlerën e 6 miliardë eurove, për ta ulur borxhin publik ndjeshëm.

Me një trinom shumë të afërt sipas sondazheve, gara do të shkojë deri në frymën e fundit.

Por, shifrat aktualisht, nuk flasin për një Marin fituese dhe kjo – mbi të gjitha nëse euroskeptikët fitojnë – mund të jetë një goditje për gjithë frontin perëndimor, që tek Marin ka gjetur aleaten e përkryer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore