Lajme

Partia e kryeministrit armen në detyrë fiton zgjedhjet e parakohshme


Posterët e zgjedhjeve me portrete të kryeministrit të Armenisë në detyrë Nikol Pashinyan

Nga rezultatet paraprake në zgjedhjet e parakohshme në Armeni fitues doli me 58%, partia e kryeministrit në detyrë të Nikol Pashinyan-it.

Ndërkaq Pashinyan, i cili dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, por vazhdoi të udhëheqte Qeverinë deri për zgjedhje, u shpreh entuziast për fitoren.

Duke deklaruar fitoren herët në mëngjes të hënën, Pashinyan u kërkoi mbështetësve të mblidheshin në sheshin kryesor të kryeqytetit Jerevan në mbrëmje.

“Populli i Armenisë i dha partisë sonë të Kontratës Civile një mandat tjetër për të udhëhequr vendin me mua si kryeministër”, bëri thirrje ai.

“Ne tashmë e dimë që fituam bindshëm në zgjedhje dhe do të kemi një shumicë bindëse në parlament”.

Por aleanca e opozitës e udhëhequr nga rivali i tij kryesor, ish-presidenti Robert Kocharyan, pretendoi mashtrim në zgjedhje.

Pothuajse 50% e 2.6 milionë qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje të dielën e 27 qershorit. Kjo ishte shifra që deklaruan zyrtarët e komisionit të zgjedhjeve armene. Këta të fundit shtuan se votimi u krye në përputhje me legjislacionin.

Aleanca e Kocharyan-it tha se nuk do ta pranonte pretendimin e Pashinyan-it për fitore. Pasi sipas tij janë llogaritur vetëm 30% e zonave.

“Qindra sinjale nga qendrat e votimit që dëshmojnë për falsifikime të organizuara dhe të planifikuara shërbejnë si një arsye serioze e mungesës së besimit”, tha blloku në një deklaratë.

Të dielën në mbrëmje zyra e prokurorit të përgjithshëm tha se kishte marrë 319 raporte të shkeljeve dhe kishte hapur gjashtë hetime penale për krime zgjedhore. Të gjitha këto kishin të bënin me ryshfet të pretenduar gjatë fushatës.

E shkuara e Robert Kocharyan

Kocharyan, një mik dhe aleat i presidentit rus Vladimir Putin, ishte akuzuar vetë më parë për caktimin e zgjedhjeve presidenciale në favor të një aleati politik.

Ai u akuzua gjithashtu për kryesimin e një goditje vdekjeprurëse ndaj protestuesve në vitin 2008.

Pashinyan erdhi në pushtet pasi udhëhoqi një revolucion popullor në vitin 2018. Ku Armenia u vlerësua nga disa vende ndërkombëtare kur mbajti zgjedhjet e para të lira dhe të drejta nën udhëheqjen e tij atë vit.

Por vendi ka qenë në një krizë politike që nga nëntori i vitit 2020, kur Pashinyan nënshkroi një armëpushim të ndërmjetësuar nga Moska me Azerbajxhanin për t’i dhënë fund luftës në Nago-Karabak.

Zgjedhjet e së dielës erdhën pas disfatës së Armenisë në një konflikt me Azerbajxhanin mbi territorin e Nago-Karabakut.

Armenia humbi shumë territore në luftë, e cila zgjati për gjashtë javë vitin e kaluar dhe kushtoi mijëra jetë.

Zyrtarisht, 2 mijë e 904 ushtarë të Azerbajxhanit humbën jetën në luftën e vitit të kaluar. Armenia humbi rreth 4 mijë ushtarakë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore