Shqipëria

Partia Demokratike zyrtarizon Roland Bejkon si kandidat për Tiranën


Teksa mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike vijon ende, është konfirmuar kandidati që do të garojë për Bashkinë e Tiranës.

Bëhet fjalë për Roland Bejkon, i cili do të përballet me Erion Veliajn dhe Belind Këlliçin.

Vendimi është marrë nga Kryesia që u thirr këtë të diel të 26 marsit nga kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Bejko u zgjodh me shumicë votash dhe përballë tij qëndronte Jonila Godole.

Demokrati Bejko ka qenë për një periudhë të gjatë kohore kryetar i PD-së në Gjirokastër dhe më pas prefekt në Berat.

Ai njihet për qëndrimet e tij kundër Sali Berishës, sidomos protestës së agravuar të 8 janarit të vitit që lamë pas.

Partia Demokratike ende nuk ka marrë një vendim se si do të futet në zgjedhje.

61 kandidatë për të gjitha bashkitë e vendit. Kandidimi vetëm për këshillat bashkiakë. Kandidatë vetëm për disa nga bashkitë.

Janë këto tre propozimet që po diskutohen e stërdiskutohen nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj.

Dilemat brenda grupit vijojnë të jenë të mëdha.

Edhe pse deri më tani janë prezantuar gati 17 kandidatë, në mbledhjet e fundjavës disa deputetë, si Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula kërkojnë që PD-ja të mos dalë në zgjedhje me kandidatë.

Ata theksojnë se duhet garuar vetëm për Këshillat Bashkiakë në mënyrë që mos të ndahen votat e votuesve të djathtë (kjo pasi kandidatët e dalë nga primaret e Sali Berishës dhe garojnë në një koalicion vijojnë të cilësohen si kandidatë demokratë).

Nga ana tjetër, vetë Alibeaj ka pranuar se i ka gati emrat për të gjitha bashkitë e vendit.

Ky propozim i tij ka gjetur mbështetje nga disa deputetët demokratë si, Flutur Açka, Arbi Agalliu dhe Kreshnik Çollaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore