Lajme

Parlamenti rus do të shqyrtojë ndalimin e shkëmbimit të të burgosurve Azov


Parlamenti i Rusisë do të shqyrtojë ndalimin e shkëmbimit të robërve rusë të luftës për anëtarët e kapur të regjimentit Azov të Ukrainës, tha kryetari, pasi mbrojtësit e fundit ukrainas të fabrikës së çelikut Azovstal të Mariupolit iu dorëzuan forcave ruse.

Rusia deklaroi të martën se 265 luftëtarë ukrainas ishin dorëzuar nga një bastion përfundimtar i rrethuar në fabrikën e çelikut, disa orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se misioni për të mbrojtur objektin kishte përfunduar dhe disa luftëtarë ishin zhvendosur në territorin rus.

Ministri rus i Mbrojtjes tha se nga ata që u dorëzuan, 51 u plagosën rëndë dhe u dërguan në një spital në Novoazovsk në rajonin separatist Donetsk të mbështetur nga Rusia. Fati i tyre mbeti i paqartë.

Ndërsa zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Malyar tha se, “do të bëhet një procedurë shkëmbimi për kthimin e tyre në shtëpi”. Nga ana tjetër Zelensky paralajmëroi se “puna për t’i sjellë djemtë në shtëpi kërkon kohë”.

Disa ligjvënës rusë i kërkuan Moskës që të mos shkëmbejë robërit e luftës. Vyacheslav Volodin, kryetari i Duma-s – parlamenti rus –  tha se anëtarët e saj ishin “kriminelë nazistë” të cilët nuk duhet të përfshihen në shkëmbimet e të burgosurve.

“Ata janë kriminelë lufte dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i sjellë ata para drejtësisë”, tha ai.

Faqja zyrtare e Duma-s tha se ai u kishte kërkuar komiteteve të mbrojtjes dhe sigurisë që të përgatisin një udhëzim për këtë.

Ligjvënësi Leonid Slutsky – një nga negociatorët e Rusisë në bisedimet e ngecura të paqes me Ukrainën – i quajti luftëtarët e evakuuar “kafshë në formë njerëzore” dhe tha se ata duhet të marrin dënimin me vdekje.

“Ata nuk e meritojnë të jetojnë pas krimeve monstruoze kundër njerëzimit që kanë kryer dhe që kryhen vazhdimisht kundër të burgosurve tanë”, tha ai.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Presidenti Vladimir Putin kishte garantuar se luftëtarët që u dorëzuan do të trajtoheshin “në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Rrethimi i afrohet fundit

Dorëzimi erdhi ndërsa rrethimi më shkatërrues i luftës së Rusisë në Ukrainë po i vinte fundi, duke mbyllur javët e luftës së ashpër urbane që la në gërmadha pjesën më të madhe të Mariupolit, një qytet port kyç midis Rusisë dhe Krimesë së aneksuar nga Rusia.

Ndërsa Rusia mori kontrollin e qytetit, civilët ukrainas dhe qindra luftëtarë ukrainas, shumë prej tyre nga regjimenti Azov, kërkuan strehim në veprat e Azovstal, një fabrikë e madhe e epokës sovjetike e themeluar nën Josef Stalin dhe e projektuar me një labirint bunkerësh dhe tunelesh për të përballuar një sulm bërthamor.

Shumica e civilëve në uzinë u shpëtuan javët e fundit pasi Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ndërmjetësuan një marrëveshje me Rusinë dhe Ukrainën.

Moska e ka përshkruar Regjimentin Azov si një nga autorët kryesorë të nacionalizmit të supozuar radikal anti-rus dhe të pretenduar “nazizmit” nga i cili tha se duhet të mbrojë rusishtfolësit e Ukrainës.

Ukraina ka pohuar se regjimenti Azov, i cili u krijua në vitin 2014 për të luftuar separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët kishin marrë kontrollin e pjesëve të Donbas-it, ishte reformuar larg origjinës së tij radikale nacionaliste për t’u integruar në Gardën Kombëtare të vendit.

Komanda ushtarake e Ukrainës i ka cilësuar të gjithë mbrojtësit e uzinës Azovstal si “heronj të kohës sonë”.

Të martën, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak përshëndeti mbrojtësit e Mariupolit, të cilët qëndruan kundër përparimit rus për 82 ditë, duke thënë se luftimet mbajtën planet ruse për të pushtuar jugun dhe lindjen e Ukrainës dhe “ndryshuan rrjedhën e luftës”.

Ende i paqartë është fakti se sa luftëtarë mbetën në uzinë.

Ndërsa kapja e plotë e Mariupolit do të përfaqësonte fitoren më të madhe të luftës së Rusisë, pushtimi i saj ka ngecur diku tjetër.

Së fundmi, trupat ruse rreth qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, filluan të tërhiqen me ritmin më të shpejtë që kur forcat ruse u dëbuan nga veriu dhe periferitë e kryeqytetit Kiev në fund të marsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore