Lajme

Parlamenti polak miraton projektligjin e diskutueshëm të mediave


Parlamenti polak ka miratuar një projektligj të ri për mediat. Por, sipas opozitarëve, kjo është një përpjekje për të heshtur një kanal televiziv kritik ndaj qeverisë.

Nga krahu tjetër, qeveria polake thekson se ligji është i nevojshëm për t’i ndaluar fuqitë e huaja armiqësore që marrin kontrollin e transmetuesve të saj.

Kritikët thonë se është një përpjekje për të shtyrë kompaninë amerikane Discovery të shesë rrjetin më të madh televiziv të vendit, TVN.

Ligji kërcënon të prishë marrëdhëniet me SHBA-në, një aleate kryesore, dhe të thellojë shqetësimin e BE-së mbi lirinë e medias në Poloni.

Më herët, gjatë ditës së martë, mijëra polakë protestuan në mbrojtje të lirisë së mediave, duke kundërshtuar hartimin e këtij legjislacioni.

Çështje të tilla, si pavarësia gjyqësore dhe të drejtat LGBT, kanë hapur konflikte mes Poloninë dhe Hungarisë me Brukselin.

“Nëse do të ndodhte (që TVN24 – televizioni publik – humb licencën)… është fundi – nuk ka demokraci, nuk ka liri të fjalës”, tha stilistja 66-vjeçare, Iwona Leliwa-Kopystynska.

Qeveria ka argumentuar se rregullat ekzistuese, që ndalojnë kompanitë me bazë jashtë Zonës Ekonomike Evropiane, të kenë pronësi të drejtpërdrejtë të transmetuesve, duhet të forcohen për të parandaluar firmat kineze dhe ruse të kontrollojnë mediat polake.

Sidoqoftë, planet janë kritikuar nga SHBA, e cila është një aleate e rëndësishme ushtarake.

Kompania amerikane Discovery zotëron TVN-në përmes një filiali me seli në Holandë.

Votimi i shumëpritur i së mërkurës ishte paradite, por u shty për pak kohë, pasi deputetët e opozitës u përpoqën ta shtynin seancën.

Projektligji tani pritet t’i kalojë Senatit të kontrolluar nga opozita, i cili mund të bëjë ndryshime ose të refuzojë ligjin, thotë korrespondenti i BBC-së në Varshavë, Adam Easton.

Sidoqoftë, dhoma e ulët e Parlamentit mund të përmbysë çdo ndryshim dhe, më në fund, të miratojë projektligjin.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore