Lajme

Parlamenti Evropian/ Plani i ri i paqes për Yemen-in e shkatërruar nga lufta


Delegacioni i PE-së për Marrëdhëniet me gadishullin Arab (DARP) mirëpreti në deklaratën e saj angazhimin e Arabisë Saudite dhe qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Yemen-it për t’i dhënë fund krizës së Yemen-it dhe për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse politike.

DARP-i u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen me mirëbesim në negociata që çojnë në rregullime politike dhe të sigurisë, në përputhje me rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit të KB (2015), mekanizmat e përbashkët të zbatimit të Misionit të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur marrëveshjen e Hodeidah dhe armëpushimin global , siç kërkohet nga rezoluta 2532 e Këshillit të Sigurimit të KB (2020).

Për konfliktin në Yemen ajo theksoi se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake dhe se kriza mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme vetëm përmes një procesi negociues gjithëpërfshirës të udhëhequr nga jemenas. Për më tepër, DARP-i nënvizon se çdo zgjidhje afatgjatë e konfliktit duhet të adresojë shkaqet themelore të paqëndrueshmërisë në vend dhe të përmbushë kërkesat dhe aspiratat legjitime të popullit jemenas.

Ajo vlerëson në fjalën e saj, iniciativat e ndërmarra tashmë nga i Dërguari Special i KB-së, BE-së, Sulltanati i Omanit dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje të vlefshme për konfliktin në Yemen. Në këtë drejtim, DARP-i u bën thirrje BE-së dhe Shteteve të saj Anëtare të shumëfishojnë përpjekjet e tyre diplomatike në këtë drejtim, përkundrejt të gjitha palëve të përfshira, përfshirë Iranin.

Në fund, Delegacioni i PE-së për Marrëdhëniet me gadishullin Arab shprehu mirënjohje për përkushtimin ekstrem të treguar nga Delegacioni i BE-së në Jemen, aktualisht i vendosur në Aman (Jordani).

Sfondi

Më 22 Mars 2021, Arabia Saudite propozoi një plan të ri paqeje për t’i dhënë fund luftës gjashtë vjeçare në Yemen. Ata sugjeruan një armëpushim të mbikëqyrur nga OKB-ja midis qeverisë së Yemen-it të mbështetur nga Sauditët dhe rebelët Houthi, të cilët mbështeten nga Irani. Plani përfshinte gjithashtu rihapjen e lidhjeve jetësore ajrore dhe detare dhe fillimin e negociatave politike.

Më 12 shkurt 2021, Parlamenti Evropian miratoi me një shumicë shumë të madhe një Rezolutë në të cilën dënoi me termat më të fortë dhunën e vazhdueshme në Jemen, e cila rezultoi në krizën më të keqe humanitare në botë.

Parlamenti përsëriti kundërshtimin e tij ndaj eksportit të armëve për çdo palë të përfshirë në konflikt dhe u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt që të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Ata përsëritën pozicionin e tij të kahershëm se një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse mbetet zgjidhja e vetme afatgjatë për t’i dhënë fund luftës në Jemen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore