Sport

Parisi do të pres turneun kualifikues evropian të boksit për Lojërat Olimpike “Tokyo2020” – Donjeta Sadiku vazhdon garën


Kryeqyteti i Francës, Parisi, është zgjedhur vendi mikpritës i turneut kualifikues evropian të boksit për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Turneu ishte dashur të mbahej në mars të vitit të kaluar në Londër të Britanisë së Madhe, por ishte ndërprerë në gjysmë shkaku i pandemisë Covid 19.

Për shkak të përhapjes së pandemisë në Londër në muajt e fundit, Task Forca e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), e cila organizon garat kualifikuese të boksit, vendosi të zëvendësojë Londrën me Parisin.

Turneu do të mbahet prej katër deri më tetë qershor të vitit 2021 dhe do të vazhdojë aty ku ishte ndërprerë.

Nga ekipi olimpik i Kosovës në boks, në garë për kualifikim në lojërat olimpike, ka mbetur vetëm Donjeta Sadiku e cila bënë pjesë në kategorinë deri në 60 kilogramë.

Ajo në raundin e parë kishte mposhtur gjermanen Maya Kleinhaus, duke u kualifikuar në 16 garueset më të mira.

Pastaj në 1/8-ën e finales do të përballet me suedezen, Agnesa Lexiussion.

Donjetës për të fituar normën olimpike, i duhet të zë njërën nga gjashtë pozitat e para.

Javë më parë, Task Forca e KON-it anuloi turneun botëror kualifikues për “Tokyo 2020”, i cili ishte paraparë të mbahej pikërisht në Paris.

Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, të shtyra për një vit, do të mbahen prej 23 korrik deri më 8 gusht 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore