Gatimi

Parfe me boronica, e preferuara e çdo stine


Boronicat renditen në listën e super frutave. Kjo parfe e lehtë ju sjell kombinimin e tyre në një shtresë pane, me shumë pak yndyrë dhe spërkatur me grimca kanelle. Kontrasti i shijeve krijon një kombinim fantastik dhe të freskët.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 150 gr sheqer, 100 gr arra, 100 gr reçel me boronica të kuqe (ose edhe reçel me fruta pylli / qershie), 100 ml pana pastiçerie, 4 vezë, pak kanellë.

Përgatitja:

I rrahim në një enë të bardhat e vezëve dhe pastaj shtojmë gjysmën e sasisë së sheqerit, duke i përzier lehtë.

Rrahim panën e pastiçerisë në mikser (ose në rast mungese mjafton t’i rrahim fort me rrahësen e vezëve) derisa të bëhet kremoze.

Shtojmë të verdhat e vezëve me pjesën e mbetur të sheqerit, dhe i rrahim mirë derisa të përfitohet një masë e njëtrajtshme.

Në të njëjtën enë ku kemi masën e përfituar shtojmë reçelin me boronicat e kuqe, të bardhat e rrahura të vezëve dhe arrat. Me shumë kujdes mundohemi ta përziejmë gjithë masën, derisa të përftojmë kremin e lidhur mirë me të gjithë përbërësit.

Masën e përftuar e vendosim në një formë drejtkëndore të gjatë dhe e fusim në ngrirje, ku e lëmë të paktën për 6 orë.

E nxjerrim nga ngrirja dhe parfeja do të jetë gati për t’u shërbyer sipas dëshirës dhe fantazisë suaj, duke përdorur reçelin apo boronicat e kuqe për dekor. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore