Lajme

Paralajmëron Tolkach: Rusia në Serbi po bën të njëjtën gjë që ka bërë prej vitesh në Ukrainë


Volodymyr Tolkach

Rusia në Serbi po bën të njëjtën gjë që Kremlini ka bërë prej vitesh në Ukrainë, me dëshirën për të vendosur kontrollin mbi një vend tjetër.

Kështu të paktën ka deklaruar ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, duke shtuar Kievi zyrtar e d çfarë është ndikimi rus dhe cilat janë pasojat e tij.

Ai vlerësoi se Kremlini nisi një luftë hibride kundër Kievit shumë përpara vitit 2014, duke bashkëpunuar me politikanë të korruptuar dhe organizata ekstremiste dhe duke u përpjekur të ndikojë në media, kishë dhe kulturë, për të kontrolluar Ukrainën.

“(Josep) Borrell më ka qortuar për mos-vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë”, “Serbia po kritikohet ashpër”, “Nuk e di deri sa mund të durojmë pa vendosur sanksione, Serbia po paguan një çmim të rëndë për këtë”, ishin vetëm disa nga deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në dy javët e fundit të cilat kanë dhënë indikacione se Beogradi zyrtar po përgatit terrenin për harmonizimin e politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, kur në pyetje janë sanksionet ndaj Rusisë.

Duke komentuar këto deklarime, gazetari i mediumit opozitar në Serbi, Nova.rs, Vojislav Milovançeviç, kishte konstatuar se ditët kur Serbia do ta sanksionojë Rusinë nuk janë larg.

“Askush nuk mund të thotë me siguri nëse Serbia do të vendosë sanksione ndaj Rusisë apo jo, sepse ai vendim është në kokën e një njeriu, presidentit Vuçiç. Megjithatë, nëse gjykojmë sipas ngjarjeve që kemi parë në periudhat paraprake, retorika gjithnjë e më e ashpër e mediave pro regjimit ndaj Moskës dhe Putinit, atëherë mund të themi se ai moment po afron”, kishte thënë Milovançeviç për Albanian Post.

Serbia është i vetmi vend në hemisferën perëndimore e cila po refuzon ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së në raport me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

Megjithatë opinioni publik në Serbi ka filluar të besojë në “zbutjen” e Vuçiç’it në raport me kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për sanksionet.

Në një analizë të publikuar së fundmi nga Demostat – organizatë jo qeveritare në Serbi – shkruhej se Beogradi zyrtarë tashmë veçse ka filluar rrënimin e kultit të Vladimir Putinit, i cili është një kthesë e qartë e politikës së jashtme të Serbisë drejtë BE-së

Kulti i presidentit rus, thuhej në analizë, do të dekonspirohet nga ai që e ndërtoi me kujdese për një dekadë, duke e përdorur atë për të përmirësuar imazhin e tij – presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Mjetet që do të përdoren për të shkatërruar mitin e Vladimir Putin’it janë të njëjtat që u përdorën për ta krijuar atë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore