Shqipëria

Paralajmërohet stuhi në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova të rrezikuara


Parashikimi i agjencisë meteorologjike, Severe Weather

Agjencia meteorologjike, Severe Weather, ka paralajmëruar për një rrezik të mundshëm që u kanoset shteteve të Gadishullit Ballkanik.

Kjo agjenci bën të ditur se vendet rrezikohen nga një stuhi, e cila mund të prekë Shqipërinë dhe Kosovën.

Përveç tyre, me rrezikshmëri të lartë po cilësohen edhe Kroacia, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Në këto vende, paralajmërohet se erërat e forta do të shkaktojnë dëme, të cilat do të shoqërohen me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe përmbytje, madje deri dhe tornado.

Ndryshimi i motit është paralajmëruar të ndodhë nga e enjtja, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë luhatje të theksuar, që mund të dallohet lehtësisht nga qytetarët.

Sipas ekspertëve të kësaj agjencie, “pas valës së të nxehtit që goditi tërë pjesën juglindore të Evropës dhe Turqisë, mot i ndryshueshëm do të përcillet edhe në disa vende të Ballkanit, duke përfunduar me stuhi deri në Greqi”.

Ditëve të fundit është përhapur zjarri në disa prej rajoneve të Kosovës. Ndërkaq, disa vatra të zjarrit në Pejë, Malishevë dhe Drenas vazhdojnë të jenë aktive, nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar.

Përhapjes së zjarrit i kanë “kontribuar” edhe temperaturat e larta,  si dhe djegia e sipërfaqeve hamullore. Mirëpo gjendja më problematike është paraqitur në Shtupeq të Madh të Rugovës.

Zjarret kanë përfshirë edhe jugun e Shqipërisë, me vatra aktive në Ksamil, Tragjas dhe Karaburun. Më herët edhe zona e Dukatit u përfshi nga flakët por u arrit pas disa ditësh shuarja e tyre me mjete rrethanore.

Sipas të dhënave paraprake, përhapja e zjarrit është favorizuar nga era, duke prekur disa ullishte pranë banesave.

Ditëve të fundit, Turqia ka qenë vendi, i cili është përballur me temperatura të larta, të cilat kanë shkaktuar zjarr. Intensiteti i zjarreve në Turqi, të enjten e 29 korrikut ishte katër herë më i lartë se çdo zjarr i regjistruar në vend.

Ndërsa lajmet u përhapën, #PrayForTurkey ishte në trend në Twitter me imazhe të shkatërrimit dhe harta që tregojnë vendndodhjet e më shumë se dy duzinave të zjarreve në të gjithë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore