Shqipëria

Paralajmërimet e DASH-it për Berishën filluan që në vitin 1992


Në vitin 1995, presidenti – asokohe – i Shqipërisë, Sali Berisha, do të takohej me ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton në Zyrën Ovale.

Për kohën, ballafaqimi përfaqësonte shpresat më të mira të Washington-it zyrtar për demokracinë në Shqipëri – një vend ish-komunist.

Clinton nga ana e tij do të ofronte ndihmë duke u zotuar edhe për bashkëpunim ushtarak.

Një zëdhënës amerikan do të përshëndeste “hapat e jashtëzakonshëm” që Shqipëria kishte bërë nën udhëheqjen e Berishës.

Megjithatë, edhe para atij takimi, administrata kishte dyshime për Berishën.

Kjo, sa i takonte përkushtimit të tij ndaj idealeve demokratike.

Një pjesë e vogël e ndihmësve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të Shtetit filluan të jepnin paralajmërimet e para.

Edhe pse SHBA-të lëvronin fonde të vogla por të qëndrueshme ndihme drejt Shqipërisë, sipas zyrtarëve të administratës së kohës.

Në fjalët e një zyrtari, dëshmohet një debat i brendshëm mes palëve për figurën e ish-liderit demokrat.

“Kishte njerëz që mendonin se ai ishte një demokrat me cene dhe njerëz që mendonin se ai ishte thjesht me cene”.

Fraksioni 1997

New York Times do të raportonte në vitin 1997 skenarin e kaosit që sipas saj ishte orkestruar përsëri nga Berisha.

Berisha, për NYT-në, krijoi “qëllimisht” një rrëmujë të armatosur në kryeqytet për të mbrojtur veten kundër një rebelimi popullor që kërcënoi ta përfshijë atë.

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti do të mbante frenat e policisë sekrete dhe medias shtetërore.

Madje, ai do të bllokonte në mënyrë sfiduese përpjekjet e vogla të qeverisë së re të përkohshme, e cila përmbante anëtarë të opozitës.

Siç deklaronte një diplomat perëndimor, “njerëzit me të cilët kisha folur nuk kishin parë kurrë një revolucion si ky, ku me paramendim – hapen depot e armëve, policia zhduket dhe më pas rishfaqet papritur”

Berisha pa kryengritjet në Shqipërinë e Jugut, që ia kishin hequr kontrollin atij dhe Partisë së tij Demokratike. Ai do të reagonte duke armatosur besnikët e tij dhe banditë vendas.

Reagimi

Shqipëria pasonte trazirat pas dështimit të skemave piramidale të investimeve.

Disa zyrtarë amerikanë mendonin se në të ishin përfshirë anëtarë të qeverisë Berisha.

Sipas prestigjiozes amerikane “New York Times”, ky është momenti i parë historik kur administrata amerikane “hiqte dorë nga njeriu karizmatik që kishte joshur Washington-in në fillim të viteve ’90”.

Në publik, zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit do të mbeteshin të paangazhuar për të ardhmen e Berishës.

Por në prapaskenë dhe në diskutimet me NATO-n dhe diplomatët evropianë, administrata amerikane e kishte bërë të qartë se Berisha duhet të largohej.

“Ai është problemi tani”, do të shprehej për NYT-në një zyrtar i lartë i administratës, duke folur në kushte anonimiteti, “dhe ju nuk do të gjeni zgjidhje derisa ai të largohet prej andej”.

Non-grata

Më 19 maj të vitit 2021, shpallja si persona non-grata e Berishës dhe familjarëve të tij, nuk i mbylli ballafaqimet “verbale” mes palëve.

Ish-kryeministri, i cili nuk e ka kapërdirë ende këtë fakt, u rrek drejt gjyqeve të pa-ekzekutuara apo figurave të larta të administratës amerikane.

Në përpjekje për të kthyer në vend dinjitetin, paralajmërimet për cënueshmërinë e figurës së tij DASH i paraqiti që në hapat e para të Berishës.

Çfarë mungon ende mes artikujve dhe përcaktimeve – janë provat dhe faktet. Por një gjë dihet më së miri, SHBA-të dhe Berisha kanë bashkëjetuar “të ndarë” prej 30 e më shumë vitesh.

Këto janë ekstrakte nga një publikim i New York Times, më 26 dhjetor të vitit 1990 dhe 3 maj 1997 – përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore