Lajme

Parada naZiste e humbjes


Një paradë e fitores, në një çast të humbjes.

Asgjë e re nga retorika e Vladimir Putinit, asnjë veprim i shtuar ushtarak i lajmëruar, trajektore e ngjashme e operacionit ushtarak me zhvendosje në lindje të Ukrainës dhe një simbol nazist për të denazifikuar Kievin fqinj.

Kjo ishte parada tradicionale e 9 majit në Moskë, si kremtim i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe të rënëve rusë në luftë.

Por vëmendjen nuk e tërhoqi as artileria e shpalosur në sy të moskovitëve, as fjalimi i vakët i Putinit e as dyndja e njerëzve në Sheshin e Kuq.

Vëmendjen e rroku Z-ja, e cila qe e pranishme edhe në një paradë martirësh.

Njerëzit kishin të veshur stemën Z, e cila u bë simbol (për keq) i agresionit rus në Ukrainë.

Vetëm svastika e keqpërdorur nga Hitleri, është sot e krahasueshme me të, sa u përket qasjeve spastruese e pro-luftë.

Vetë avionët ushtarakë rusë, kishin kryer manovra të ndryshme në formacione Z dhe kështu u përqasën përpara publikut.

Pavarësisht përpjekjeve për ta limituar në kulm këtë simbol, Kremlini nuk ia arriti tërësisht.

Të indoktrinuarit janë vetë tashmë edhe më radikalë se sa indoktrinuesit.

Një paradë e humbjes, marshoi realisht në Moskë. Fitore nuk pati as në ndalimin e Z-së.

Aq më pak, të flitet për një logosferë idealesh demokratike, në një vend ku ai çfarë po kthehet, është nazizmi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore