Libra

Para 155 viteve u publikua vëllimi i parë i “Das Kapital” nga Karl Marks


Karl Marx

Në fund të shtatorit të vitit 1867, filozofi gjerman Karl Marks, publikoi vëllimin e parë të librit “Das Kapital”, i njohur gjithashtu si “Kapitali: Një Kritikë e Ekonomisë Politike”, i cili është pa diskutim një nga librat me më së shumti ndikim gjatë dy shekujve të fundit.

Ndikimi i tij në ngjarjet historike dhe në mendimin e burrave dhe grave ka qenë shumë më i madh se ai i çdo intelektuali tjetër të kohëve moderne.

Ky ndikim erdhi jo vetëm falë magjisë së ideve dhe metodologjisë së tij, megjithëse te dyja ushtrojnë tërheqje të dukshme mbi atë që është pak i prirur të arsyetojë në mënyre rigoroze, por edhe për faktin se filozofia e tij u institucionalizua në dy prej vendeve më të mëdha të botës, në Rusi dhe Kinë, dhe u përhap në tërë botën.

Mirëpo, ndikimi i Marks-it ishte edhe më i drejtpërdrejtë, pasi lloji i diktaturës personale që ai konceptoi për veten e tij, në mënyrë efektive u vu në jetë – me pasoja të pallogaritshme për njerëzimin – nga pasuesit e tij më të rëndësishëm, Lenini, Stalini dhe Mao Ce Duni.

“Kapitali”, monumenti mbi të cilin është qendërzuar jeta e tij prej studiuesi është një predikim kolosal, shpesh i palidhur, një sulm kundër procesit individual dhe parimit të pronës private.

Kapitalizmi, mendonte ai, funksionon duke shfrytëzuar klasën punëtore, pagat e të cilëve nuk pasqyrojnë vlerën e punës së tyre duke arritur në përfundimin se kapitalizmi do të dështonte për shkak të kësaj kontradikte në zemër të sistemit kapitalist (kapitalizmi jo vetëm që mbijetoi; në fakt përparoi pavarësisht nga problemet e saj).

Ai shkroi “Kapitalin” për t’u dhënë aktivistëve teoritë dhe gjuhën e nevojshme për të kritikuar sistemin shtypës.

Statuja e Karl Marx dhe Friedrich Engels, Bishkek, Kyrgyzstan

Por, vepra e tij përshkruan gjithashtu shoqërinë e re komuniste që filozofi shpresonte se do të ngrihej në vend kapitalizmiz, dhe ajo ndihmoi për të frymëzuar ngritjen e shteteve që formësuan kryesisht historinë moderne të planetit tonë.

Te ai bashkëjetonin poeti, gazetari, moralisti dhe secili nga këto personalitete të kombinuara me forcën e tij të madhe të vullnetit, e bënë atë shkrimtar të fuqishëm dhe vizonar, por plotësisht pa prirje shkencore.

Njëherë ishte ankuar: “Jam një makinë e dënuar për të përpirë libra”, por që të jemi më të saktë, ai nuk ishte as studiues dhe as shkencëtar. Nuk i interesonte ta gjente të vërtetën, përkundrazi, i pëlqente ta shpallte.

Ndërkaq, ideja se marksizimi është një shkencë, dhe si e tillë, e ndryshme nga çdo filozofi tjetër e çdo kohe, përbën bazën e doktrinës zyrtare të shteteve që u themeluan nga pasonjësit e Marks-it, aq sa u kushtëzua mësimi i të gjitha lëndëve në shkollat dhe universitetet e tyre.

Megjithatë, pas një shekulli konflikti, Marksi ende ofron mjete të vlefshme që na ndihmojnë të analizojmë botën moderne dhe ndikimi i hipotezave të reja që ai gjeneroi nuk vihet në dyshim.

Ndërsa Marksi nuk jetoi për të botuar pjesën e dytë, të tretë dhe të katërt të planifikuar, vëllimi i dytë dhe i tretë u plotësuan nga shënimet e tij dhe u botuan pas vdekjes së tij nga kolegu i tij Friedrich Engels; vëllimi i katërt u përfundua dhe u botua pas vdekjes së Engelsit nga filozofi marksist Karl Kautsky.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore