Lajme

“Paqësori do të përballet me surpriza strategjike”


Koordinatori amerikan i Indo-Paqësorit pranë Shtëpisë së Bardhë, Kurt Campbell, ka deklaruar se Paqësori është ajo pjesë e botës që do të shohë më shumë “surpriza strategjike”.

Kjo deklaratë vjen pas “ambicieve” të qeverisë kineze për të krijuar baza ishujsh në Oqeanin Paqësor.

Në një intervistë, me përfaqësues të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare të Washington-it, Campbell deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë “interesa të mëdha morale, strategjike dhe historike” në Paqësor.

Por, sipas tij, nuk kanë kontribuar mjaftueshëm për rajonin, siç kanë bërë vendet e tjera, si Australia dhe Zelanda e Re.

Ndërsa e ka cilësuar këtë çështje si “më problematikja gjatë dy viteve të ardhshme”, ai shtoi se “kemi pak kohë që po punojmë me partnerë si Australia, Zelanda e Re, Japonia, Franca, të cilët kanë interes për Paqësorin”.

Campbell nuk ka dhënë detaje mbi referencën e tij.

Por, ligjvënësit nga republika e ishullit të Paqësorit të Kiribati, vitin e kaluar, thanë se qeveria e Kinës ka hartuar plane konkrete për të investuar në një pistë ajrore dhe një urë, në një nga ishujt që ndodhet 3 mijë kilometra në jug-perëndim të Hawait.

Ndërtimet në ishullin e vogël të Kantonit do t’i ofrojë Kinës një pikëmbështetje në territorin që, më parë, ishte i lidhur fort me SHBA-të dhe aleatët e saj, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në maj, Qeveria e Kiribatit deklaroi se planet e mbështetura nga Kina ishin projekt jo-ushtarak, krijuar për të përmirësuar lidhjet e transportit dhe përforcuar turizmin.

Campbell tha se mënyrat sesi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të bëjnë më me shumë në Paqësor, përfshirë dhe kontributin në luftën kundër COVID-19, çështjet e peshkimit dhe investimet në energjinë e pastër.

Ndërsa vazhdoi vërejtjet, ai tha se SHBA-të duhet të “rrisin kontributin” në angazhimin ekonomik në Azi.

Campbell ka promovuar të ashtuquajturin Paktin Aukus, sipas të cilit SHBA-të dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord të ndihmojnë Australinë të blejë nëndetëset bërthamore.

Por disa vende Indo-Paqësori, shumë prej të cilave e konsiderojnë Kinën si partnerin e tyre më të madh tregtar, janë ankuar për “angazhim e pamjaftueshëm ekonomik të SHBA-ve”, pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u largua nga marrëveshja tregtare e quajtur Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore