Lajme

Papa Françesku mohon se po planifikon të japë dorëheqjen


Papa Françesku ka hedhur poshtë raportet, ku shkruhej se ai planifikon të japë dorëheqjen në të ardhmen e afërt, ndërsa u shpreh se është në rrugën e duhur për të vizituar Kanadanë këtë muaj dhe shpreson të jetë në gjendje të shkojë në Moskë dhe Kiev sa më shpejt të jetë e mundur.

Në një intervistë ekskluzive, nga rezidenca e tij në Vatikan, Françesku mohoi gjithashtu thashethemet se kishte kancer, duke bërë shaka se mjekët e tij “nuk më thanë asgjë për këtë”.

Për herë të parë, Papa Françesku dha detaje të gjendjes së gjurit, që e ka penguar të kryejë disa detyra.

Në një bisedë 90-minutëshe të shtunën pasdite, në italisht, pa asnjë ndihmës të pranishëm, Papa 85-vjeçar përsëriti gjithashtu dënimin e tij për abortin pas vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve muajin e kaluar.

Në media kanë qarkulluar thashethemet se një ndërlidhje ngjarjesh në fund të gushtit, duke përfshirë takimet me kardinalët e botës për të diskutuar mbi kushtetutën e re të Vatikanit, ceremoninë për të futur kardinalët e rinj dhe një vizitë në qytetin italian të L’Aquila, mund të paralajmëronte dorëheqjen.

L’Aquila lidhet me Papa Celestine V, i cili dha dorëheqjen nga papati në vitin 1294. Papa Benedikti XVI e vizitoi qytetin katër vjet përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2013, Papa i parë që e bëri këtë në rreth 600 vjet.

Por Françesku, vigjilent dhe i qetë gjatë gjithë intervistës, teksa diskutonte një gamë të gjerë çështjesh ndërkombëtare dhe të kishës, qeshi me aludimet.

Papa Françesku përsëriti qëndrimin e tij të deklaruar shpesh se mund të jepte dorëheqjen një ditë nëse problemet shëndetësore ia bënin të pamundur drejtimin e Kishës – diçka që kishte qenë pothuajse e paimagjinueshme përpara Benediktit XVI.

Udhëtimi papal në Moskë

Duke folur për situatën në Ukrainë, Papa Françesku vuri në dukje se ka pasur disa kontakte midis Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për një udhëtim të mundshëm në Moskë.

Shenjat fillestare nuk ishin të mira. Asnjë papë nuk e ka vizituar kurrë Moskën dhe Françesku e ka dënuar vazhdimisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia; të enjten e kaluar ai e akuzoi agresionin si një mënyrë implicite për “luftë mizore dhe të pakuptimtë agresioni”.

Kur Vatikani pyeti për herë të parë për një udhëtim në Moskë, Françesku tha se përgjigjja që mori ishte “nuk ishte koha e duhur”.

Por ai la të kuptohet se tani diçka mund të ketë ndryshuar.

“Dhe tani është e mundur, pasi të kthehem nga Kanadaja, është e mundur që të arrij të shkoj në Ukrainë”, tha ai.

“Gjëja e parë është të shkoj në Rusi për të ndihmuar në njëfarë mënyre, por unë do të doja të shkoja te të dy kryeqytetet”.

Vendimi për abortin

I pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-ve për rrëzimin e vendimit historik Roe kundër Wade, që vendoste të drejtën e një gruaje për të kryer një abort, Françesku u shpreh se e respektonte vendimin, por nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të folur rreth tij nga pikëpamja juridike.

Ai e dënoi ashpër abortin, duke e krahasuar atë me “punësimin e një vrasësi”. Kisha Katolike mëson se jeta fillon në momentin e konceptimit.

“Pyetja që shtroj unë është: A është legjitime, a është e drejtë, të eliminohet një jetë njerëzore për të zgjidhur një problem?”

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore