Lajme

Papa Françesku e emërton si ‘djallëzor’ abuzimin në familje


Papa Françesku e ka dënuar dhunën në familje kundër grave si “thuajse djallëzore”.

Këtë, kreu i Kishës Katolike e ka thënë gjatë një programi të transmetuar në rrjetin “TG5” të Italisë të dielën e 19 dhjetorit.

Agjencia e lajmeve “BBC” tregon se atje, Papa foli me një panel prej katër personash, duke përfshirë një të mbijetuar nga abuzimi në familje.

Shqetësimi i tij ishte për numrin “shumë, shumë të lartë” të grave, “të cilat janë rrahur dhe dhunuar në shtëpitë e tyre”.

“Është thuajse djallëzore, sepse po përfitohet nga një person që nuk mund të mbrohet, i cili vetëm mund të përpiqet të ndalojë goditjet”, ka thënë Papa Françesku.

“Është poshtëruese. Shumë poshtëruese”, ka vijuar ai.

Teksa po diskutonte me një nga gratë të quajtur Giovanna, e cila ishte arratisur nga një shtëpi e dhunshme me katër fëmijët e saj, Papa ka theksuar se gratë e abuzuara nuk e kishin humbur dinjitetin e tyre.

“Shoh dinjitet te ju, sepse nëse nuk do të kishit dinjitet, nuk do të ishit këtu. Shihni Nënën e Bekuar dhe qëndroni me atë imazh të guximit”, i ka thënë ai Giovanna-s.

Që nga fillimi i pandemisë së coronavirus-it, Papa Françesku ka bërë një sërë komentesh për abuzimin në familje.

Kjo pasi incidentet e abuzimit janë rritur në shumë vende, për shkak se shumë njerëzve u duhej të qëndronin gjithë kohës në shtëpi me abuzuesit e tyre.

Referuar një raporti të OKB-së, që mbulonte 13 vende, gjysma e grave të anketuara kanë pranuar se kishin përjetuar një formë dhune që nga fillimi i pandemisë.

Në Itali, shifrat e policisë të publikuara muajin e kaluar kanë raportuar rreth 90 episode të dhunës ndaj grave çdo ditë dhe 62 për qind e tyre ishin raste të abuzimit në familje.

Duke iu drejtuar Giovanna-s, Papa Françesku ka treguar se është e mundur të ketë ende shpresë edhe gjatë pandemisë.

“Ju po jepni një shembull të rezistencës, një leksion të rezistencës ndaj fatkeqësive”, ka përmbyllur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore