Shqipëria

Pandemia nxiti eksportet e fruta-perimeve dhe bimëve mjekësore


Bujqësia është një ndër sektorët që nuk është prekur nga kriza e pandemisë, pasi shitjet dhe konsumi i prodhimeve të tokës kanë pësuar rritje gjatë vitit 2020.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), viti 2020 shënon rritje duke dyfishuar rritje të eksportit të produkteve bujqësore.

Gjatë 10-mujorit, eksportet e zarzavateve u rritën me 14% në raport me janar-tetor 2019. Ritme pati edhe eksporti i frutave, të cilat ishin 16% më të larta se në 10-mujorin e vitit 2019.

Ndryshe nga aktivitetet e tjera të ekonomisë që pësuan rënie, eksporti i ushqimeve dhe pijeve, gjatë periudhës janar-tetor 2020 është rritur me 10% në krahasim me 2019.

Kjo rritje ka kapur vlerën e 32 miliardë lekëve.

Ushqimet zënë 14% të totalit, duke u renditur si grupi i tretë më i madh në nëntë grupet e eksportit.

Gjithashtu pandemia ka ndikuar pozitivisht për eksportuesit e bimëve mjekësore, me një kërkesë në rritje për blerje nga kompanitë farmaceutike.

Gjatë 10-mujorit, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me mbi 17%, me vlerë totale prej 4.3 miliardë lekësh. Bimët mjekësore ishin grupi i tretë më i madh në 22 grupet që përfaqësojnë eksportin e ushqimeve.

Buxheti i vitit 2021 adreson një vëmendje të shtuar për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka bërë të  ditur se buxheti i vitit 2021 është rritur me 2.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2020. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore