Shqipëria

Pandemia në pikun më të lartë të saj, por ndryshim masash nuk ka


Shqipëria është në pikun më të lartë të pandemisë, që prej fillimit të saj në mars 2020, por ndryshim të masave kundër COVID-19 nuk do të ketë.

Ky është vendimi i fundit i Komiteti të Ekspertëve, pasi ka shqyrtuar një incidencë shumë të rritur dy-javore, e cila ka sjellë edhe shifrat më të mëdha të rasteve të reja me coronavirus.

Mirëpo, një rritje po kaq e lartë, nuk paraqitet për sa i përket rasteve të rënda apo shtrimeve në spitale.

Kështu ka bërë me dije drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, e cila ka pasqyruar tablonë e fundit.

Ajo ka thënë se në Shqipëri, qarkullojnë më së shumti dy variante: Ai Delta dhe Omicron.

Kjo rritje ndërkaq sipas saj, vjen së pari për shkak të festave të fundvitit dhe mungesës së parandalimit gjatë tyre.

Po ashtu, me ndikim ka qenë edhe përzierja me gripin sezonal, duke bërë tre fronte infektimesh në vend.

Pozitiviteti i testimeve po ashtu ka qenë më i larti në dy vjet në Shqipëri. Gjithsesi, ajo ka shpjeguar se me respektimin e masave, raste do të ulen.

Shifrat e vaksinimt sakaq, janë në nivel të mirë sipas drejtoreshës në departamentin e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino.

Ajo ka shpalosur statistikat e vaksinimeve në dy rrafshe.

Sa i përket vaksinimit në target grupe, me një dozë janë vaksinuar 52% e kësaj popullate. Me të dy dozat, janë 43% ndërsa 7.7%, kanë marrë edhe përforcuesin (booster).

Në popullatën e përgjithshme, të vaksinuar me një dozë, janë 42.4% e njerëzve. 38% kanë përfunduar tërësisht procesin.

“Prirja për t’u vaksinuar është në rritje”, ka thënë Bino. “Vaksinat që janë në dispozicion, po përdoren me efektivitet”.

Mbi personat +60%, ajo ka thënë se Shqipëria është ndër vendet më të mira në Evropë. Mirëpo, vaksinimi më i vështirë, është ai i të rinjve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore