Kulturë

Pandemia goditi artin dhe kulturën, e tregojnë shifrat


Instituti i statistikave (INSTAT), ka publikuar të dhënat lidhur me numrin e shfaqjeve dhe pjesëmarrjen në institucionet e artit dhe kulturës, të trashëgimisë kulturore dhe bibliotekës kombëtare.

Institucione të artit dhe kulturës

Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2020, janë organizuar gjithsej 80 shfaqje dhe premiera të hapura.

Gjatë vitit 2020, janë organizuar gjithsej 328 shfaqje dhe premiera në institucionet qëndrore të artit sipas të dhënave nga INSTAT.

Përsa i përket pjesëmarrjes, raportohet që nga tetori deri në dhjetor 2020, numri i spektatorëve në aktivitetet kulturore është 5.457 spektatorë. Pjesëmarrja më e lartë e spektatorëve u evidentua në Teatrin Kombëtar Eksperimental (40,2 %) dhe në Cirkun Kombëtar (30,1 %). Në institucionet qendrore të artit, gjatë vitit 2020, morën pjesë në aktivitetet kulturore 38 mijë e 332 spektatorë.

Krahasuar me vitin e kaluar, ky numër është shumë i ulët për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Megjithatë, institucionet e artit kanë vijuar veprimtarinë me shfaqje dhe premiera online, të publikuara në rrjete sociale.

Trashëgimi kulturore

Numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, në tremujorin e katërt 2020, është 34 mijë e 993 vizitorë, 15,5 % e të cilëve janë të huaj. Gjatë këtij tremujori, vizitorët vendas nuk kanë patur dallime të dukshme në frekuentim të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Ndërkohë, vizitorët e huaj kanë frekuentuar më shumë Kalatë dhe Monumentet

Biblioteka Kombëtare

Në tremujorin e katërt 2020, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare është 2 mijë e 856 dhe numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është 2 mijë e 733 persona. Gjatë vitit 2020, në Bibliotekën Kombëtare, numri i njësive bibliotekare është 20 mijë e 306 dhe numri i frekuentuesve është 30 mijë e 2 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore