Lajme

Pandemia bashkon liderët botërorë në një deklaratë të përbashkët


Të ndihmojnë botën për t’u bërë ballë pandemive të ardhshme. Ky është qëllimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, dhe më shumë se 20 udhëheqësve botërorë, në një deklaratë të përbashkët për të gjetur zgjidhje të reja globale.

Të gjithë liderët, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, janë shprehur se Covid-19 u ka vënë përballë sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjithashtu, ata kanë thënë se një krizë tjetër pandemike është thjesht çështje kohe.

Sipas Daily Telegraf dhe botimeve të tjera, si Le Monde në Francë, dhe El Pais në Spanjë, 24 udhëheqësit kanë parashtruar se një traktat i ngjashëm, si ai pas Luftës së Dytë Botërore, është i nevojshëm për të ndërtuar një urë bashkëpunimi ndërkufitar.

Marrëveshja pas luftërave

Nënshkruesit, duke përfshirë kreun e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, thonë se, pas shkatërrimeve që erdhën nga dy luftërat botërore, udhëheqësit politikë u bashkuan dhe ndërtuan sistemin shumëpalësh.

Sipas tyre, në atë kohë, qëllimet e tyre ishin të qarta.

Ato lidheshin me bashkimin e vendeve, me qëllim shpërndarjen e nacionalizmave, si dhe për të zgjidhur sfidat duke bashkëpunuar. Qëllimet kryesore ishin paqja, prosperiteti, shëndeti dhe siguria.

Marrëveshje për krizat pandemike?

Tanimë, udhëheqësit thonë se, në të njëjtën mënyrë, vendet duhet të jenë më të përgatitur për të parashikuar, parandaluar, zbuluar, vlerësuar dhe reaguar në mënyrën e duhur ndaj pandemive.

Një traktat i ri do të ndihmonte në krijimin e sistemeve më të mira për informimin e njerëzve lidhur pandemitë e mundshme.

“Do të ketë pandemi të tjera dhe emergjenca të tjera të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri, e vetme, ose nuk mund ta trajtojë këtë kërcënim vetëm. Çështja nuk është nëse, por kur”, shkruajnë udhëheqësit.

David Nabarro, i dërguari special për Covid-19 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha në programin televiziv Today të BBC-së se, në qoftë se nuk ndërmerret një veprimtari e veçantë, bota s’do të vaksinohet deri në vitin 2022.

Ky artikull i përbashkët vjen në kohën e mosmarrëveshjeve midis Mbretërisë Bashkuar (MB) dhe Bashkimit Evropian (BE) mbi vaksinat, pasi blloku futi kontrolle më të ashpra të eksportit vaksinave.

BE-ja fajësoi kompanitë farmaceutike, kryesisht AstraZeneca për mosdhënien e dozave të premtuara.

AstraZeneca ka mohuar që nuk po respekton kontratën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore