Libra

‘Panairi i Librit’ në Frankfurt çel dyert, Kosovë-Shqipëri me stendë të përbashkët


Panairi i Librit në Frankfurt ka çelur dyert edhe për këtë vit, ku e ftuar nderi është Kanadaja.

Në këtë festë të librit marrin pjesë mbi 70 vende nga e gjithë bota.

I pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por, ky vit është i veçantë, për faktin që ka “një prezantim të përbashkët Kosovë-Shqipëri”.

Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kanë bashkëpunuar, duke vendosur një standard shumë të nevojshëm të prezantimit të përbashkët të letërsisë dhe traditës së përbashkët mbarëkombëtare.

Gjatë ditëve të panairit prezantohen botimet e dhjetëra botuesve e qindra autorëve, me praninë fizike të autorëve nga Kosova dhe Shqipëria.

Tetori mbahet edhe si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt.

E ftuara e nderit këtë vit është Kanadaja.

Të gjithë pjesëmarrësit në panair do të kenë mundësinë të kuptojnë më mirë kulturën dhe letërsinë e pasur të Kanadasë.

E ftuara e nderit këtë vit është Kanadaja, ku të gjithë pjesëmarrësit në panair do të kenë mundësinë të kuptojnë më mirë kulturën dhe letërsinë e pasur të Kanadasë.

Mysafiri i nderit do të prezantojë për herë të parë letërsinë në gjuhën angleze dhe frënge, duke shfaqur autorë me famë botërore, si Margaret Atwood, Douglas Coupland, Dany Laferrière, Yann Martel, Alice Munro dhe Michael Ondaatje.

Iniciativa do të mbështetet nga institucionet e kulturës gjermane dhe kanadeze. Botuesit, agjentët, autorët dhe përkthyesit nga Kanadaja do të përfshihen gjithashtu, duke e bërë Frankfurter Buchmesse 2021 një edicion për t’u mbajtur mend.

Kosova bashkë me Shqipërinë janë të pranishme me një përfaqësim dinjitoz në sallën 4, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Belgjika, Italia, shtetet e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, Turqia, Holanda, Evropa Veriore, Irani e të tjerë.

Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Albas”, “Dija”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët e thjeshtë, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani.

Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njihet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore