Shqipëria

Paloka zgjidhet kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së


Deputeti Edi Paloka është zgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike me 132 vota.

Përballë tij në garë ishte deputetja demokrate Eleina Qirici, e cila siguroi 79 vota.

Para këtij vendimi u miratua dhe projektrezoluta e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike mbi procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.

“Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të mazhorancës socialiste”, thuhet në projektrezolutë.

Gjithashtu, bëhet me dije se mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë.

“Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave, krijohen kushtet për konsensus për votimin e Presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e Partisë Demokratike që bashkarisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta”.

Të dielën Komisioni shpalli 150 anëtarët e Këshillit Kombëtar – të zgjedhur me votim të fshehtë.

Nga 1 mijë e 838 delegatë në total, në Kuvendin e 30 prillit morën pjesë 1 mijë e 425.

Këta të fundit votuan për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë.

Pa iu nënshtruar votimit janë anëtarë të Këshillit: ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-kryetarë të Kuvendit dhe ish-kryetarë të PDSH-së.

Ndërsa, automatikisht u zgjodhën kandidatë anëtarët në detyrë të kryesisë së Partisë, kryetarët e degëve të PDSH-së, deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të PDSH-së, kryetarët e Bashkive dhe kryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike.

Kujtojmë që pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kreu i PD-së, detyrën e mori Enkelejd Alibeaj. 

Mirëpo Komisioni i Rithemelimit nuk e njeh atë si kryetar në detyrë, pasi në bazë ligjore, Gjykata e Tiranës i ka njohur ndryshimet statutore të dala nga  Kuvendi i 11 dhjetorit.

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët njohin Alibeajn si kryetar të mandatuar të demokratëve. 

Përçarja “e thellë” e demokratëve erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli ish-liderin e bluve, Sali Berisha, si persona non-grata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore