Shqipëria

Paloka e quan takimin e Kim me Alibeajn “turp”: Nuk njeh vendimet e gjykatës dhe demokratëve


Deputeti i Partisë Demokratike dhe një prej anëtarëve të franksionit të Sali Berishës brenda kampit blu, Edi Paloka, e ka quajtur takimin mes Ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim dhe kreut në detyrë të demokratëve, njëkohësisht kreut të Grupit Parlamentar PD, Enkelejd Alibeaj, një turp.

Madje, ai arrin deri aty sa ta quaje takimin një shkelje jo vetëm të çdo etike, por edhe shkelje të të gjithë ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo zonjë që uroi Ramën për ‘fitoren historike’ pa mbaruar akoma procesi zgjedhor më 25 prill dhe që prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përçarje e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarrë një akt të fundit, gjithnjë në shërbim të të njëjtin qëllim”.

Ndër të tjera, Paloka shton se “takimi nuk njeh vendimet e gjykatave shqiptare, megjithëse flet gjithë kohën për drejtësinë”.

“Ti zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash , por nuk mund të vendosësh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lirë të demokratëve shqiptare!”, përmbyll ai.

Takimi Kim-Alibeaj

“Diskutim shumë i mirë sot me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për një gamë të gjerë çështjesh”.

Kjo ka qenë deklarata e ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, fill pas takimit, i cili zgjati rreth një orë në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Duke mos treguar detaje të takimit, Kim u shpreh se SHBA-të kanë pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD-në që në lindjen e saj.

“Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë – shpresojmë që kjo vetëm të forcohet”, shkruan ajo në median sociale Twitter.

Sakaq, ajo vendos theksin te rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“SHBA-Shqipëri kanë shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë të ecim së bashku përpara, jo prapa”, e përmbyll mesazhin e saj Kim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore