Lajme

Pallati Elysee: Kurti dhe Brnabiç në Forumin e Paqes në Paris


Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Rreth 30 udhëheqës shtetesh dhe qeverish pritet të marrin pjesë në Forumin e Paqes në Paris i cili do të mbahet për dy ditë, këtë të enjte dhe të premte.

Në të do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka njoftuar zyra për medie nga Pallati Elysee.

“Priten të vinë gjithsej 450 pjesëmarrës, duke përfshirë rreth 30 krerë dhe qeveri, si dhe rreth 15,000 pjesëmarrës online”, ka thënë presidenca franceze.

Në këtë takim është planifikuar që të marrë pjesë edhe Zëvendës Presidentja e SHBA-ve, Kamala Harris, dhe presidentët e shteteve duke përfshirë  Egjiptin, Nigerinë, Senegalin, Botsvanën dhe Bregun e Fildishtë.

Pallati Elysee deklaroi se kryeministrat e Kosovës dh Serbisë pritet të jenë pjesë e tkimit me prezencë fizike, jo online.

Forumi i Paqes u nis në vitin 2018 nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me qëllim promovimin e multilateralizmit.

Edicioni i sivjetshëm i Forumit, i cili po mbahet në kuadër të shënimit të Ditës së Pajtimit në Luftën e Parë Botërore, do t’i kushtohet rimëkëmbjes ekonomike pas epidemisë së virusit korona. Forumi do të hapet nga Macron dhe Kamala Harris.

Por, Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci i cili do të mbahet në dhjetor të këtijj viti.

“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës”, thuhej në një përgjigje të ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në po këtë komunikim me medie, ambasada ka theksuar se pavarësisht kësaj, SHBA mbetet partnere e palëkundur e Kosovës në ndërtim të demokracisë.

“Sikur e ka spikatur edhe presidenti Biden në video-adresimin e tij të gushtit, Kosova ka shënuar ‘progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit’ në ndërtimin e një demokracie multietnike dhe të qëndrueshme”.

Në këtë listë të publikuar nga “Politico”, përveç Kosovës, nuk është ftuar as Serbia, as Bosnja dhe Hercegovina.

Ndërsa, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tashmë kanë pranuar ftesat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore