Lajme

Pakistani teston raketat me rreze të mesme


Pakistani ka testuar me sukses raketat balistike Shaheen III me një distancë prej 2  mijë e 750 km.

Prova e raketave u zhvillua të mërkurën. Sipas burimeve nga ushtria pakistaneze, provat kishin për qëllim rivlerësimin e parametrave të ndryshëm teknik të sistemit të armëve.

Gjatë provave ishin prezent kryetari i Komitetit të Shefave të Përbashkët të Shtabit të Pakistanit, Gjeneral Lejtnant Nadeem Zaki Manj dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Pakistani është një nga tetë shtetet në të gjithë botën me kapacitetin e armëve bërthamore.

Shaheen III është sistemi raketor me rrezen më të gjatë, i zhvilluar me synimin për të qenë i aftë të arrijë territoret indiane. Zhvillimi i sistemit për këto distanca është realizuar për të penguar një kundërpërgjigje nga ana e forcave indiane.

Kryetari i Komitetit të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm ka deklaruar se Pakistani dëshiron paqe në rajon. Ai ka shtuar se zhvillimet strategjike të Pakistanit kanë në fokus parandalimin e çdo agresioni të mundshëm ndaj vendit.

Presidenti Arif Alvi dhe Kryeministri Imran Khan kanë përgëzuar ndërkohë ushtrinë dhe shkencëtarët e përfshirë pas provës së suksesshme.

Fqinji lindor, India, me të cilin Pakistani ka zhvilluar tre luftëra, që kur të dy vendet fituan pavarësinë nga Britania e Madhe në 1947, gjithashtu ka armë bërthamore.

Mosmarrëveshjet territoriale mbi rajonin e Kashmirit ndezën dy nga tre luftërat kryesore Indo-Pakistaneze në 1947 dhe 1965 dhe një luftë të kufizuar në 1999.

Megjithëse të dy vendet kanë arritur një armëpushim të brishtë që nga viti 2003, ata rregullisht kanë përplasje të armatosur përgjatë kufirit, të njohur si Vija e Kontrollit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore