Aplikacione

Pakistan-i ribllokon TikTok-un


Pakistan-i ndalon për herë të dytë platformën e shpërndarjes së videove, TikTok.

Agjencia e lajmeve, CNN, zbulon se aplikacioni nuk është më i disponueshëm në pajisjet telefonike pasi rregullatorët në vend kanë lëshuar një urdhër për të bllokuar menjëherë hyrjen në të.

Autoriteti i Telekomunikacionit të Pakistan-it ka shpjeguar se ndalimi i aplikacionit erdhi pas një thirrjeje të një gjykate provinciale në Peshawar për të hequr platformën.

Sipas argumentimit të gjyqtarëve, TikTok-u ishte “i dëmshëm” për të rinjtë e Pakistan-it. Ata gjithashtu kanë pretenduar se videot që ngarkoheshin në platformë ishin kundër normave dhe vlerave të përcaktuara në vend.

Platforma është bllokuar tetorin e kaluar pasi autoriteti e akuzoi atë për praninë e përmbajtjeve të cilësuara “imorale” dhe “të pahijshme”. Kjo sipas tyre ndodhte për shkak se platforma nuk kishte arritur të krijonte një mënyrë të kënaqshme për të bllokuar përmbajtjet ofenduese pas një paralajmërimi për të rregulluar këtë mungesë.

Mirëpo, vendimi u ndryshua më vonë për shkak se TikTok-u, i cili është në pronësi të kompanisë teknologjike, ByteDance, u zotua se do ta ruante përmbajtjen të moderuar dhe në përputhje me ligjet lokale.

Kjo përbënte një shkas që Autoriteti i Telekomunikacionit në Pakistan, të shprehej në gjykatë se TikTok-u ende nuk kishte provuar se mund të mbante premtimin për të goditur përmbajtjet e ndaluara.

Nga ana e vet, platforma nuk i është përgjigjur në mënyrë të menjëhershme një kërkese për koment mbi çështjen. TikTok-u ka deklaruar se zotëron një mbrojtje të gjerë për përdoruesit dhe njëkohësisht, e ka kategorizuar veten si një platformë “e sigurt” duke shtuar se “do të vazhdojë të mundësojë që krijimtaria pakistaneze të jetë në një mjedis të sigurt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore