Lajme

Pakistan: 21 të vdekur, shkak bora që ka bllokuar shoferët në automjetet e tyre


Në veri të Pakistan-it, të paktën 21 persona kanë vdekur pasi bora e madhe i ka bllokuar ata në automjetet e tyre.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se mes situatës së rënduar, ushtria po përpiqet të pastrojë rrugët dhe të shpëtojë ata që janë ende të bllokuar pranë qytetit malor të Murree.

Sipas ministrit të Brendshëm, Sheikh Rashid, numërohen afro një mijë automjete të bllokuara në autostradë gjatë një stuhie.

Murree është një qytet turistik malor në veri të kryeqytetit Islamabad.

Të premten e 7 janarit, mediat lokale nisën të raportonin se turistët po bllokoheshin për shkak të borës.

Ditët e fundit, në Murree kishin hyrë më shumë se 100 mijë makina për të parë reshjet jashtëzakonisht të mëdha të borës. Dhe policia bëri me dije se kjo shkaktoi bllokim të madh trafiku në rrugët që çojnë brenda dhe jashtë qytetit.

Gjithashtu policia ka njoftuar se të paktën gjashtë persona kishin ngrirë për vdekje në makinat e tyre, por ende nuk ishte e qartë se si kishin vdekur të tjerët.

Si një arsye e mundshme është dhënë asfiksia pas thithjes së tymrave.

Tanimë, zona është shpallur zonë fatkeqësie dhe njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë larg.

“Njerëzit po përballen me një situatë të tmerrshme”, ka treguar përmes telefonit Usman Abbasi, një turist i ngecur në qytetin ku ende binte borë e madhe.

“Nuk janë vetëm turistët, por edhe popullsia lokale po përballet gjithashtu me probleme të rënda”, duke përfshirë mungesën e gazit dhe ujit, ka shtuar turisti.

Ndërkaq, kryeministri Imran Khan u shpreh i tronditur për “vdekjet tragjike” të turistëve.

“Kam urdhëruar hetimin dhe vendosjen e rregulloreve të forta për të siguruar parandalimin e tragjedive të tilla”, ka thënë Khan në një postim në platformën Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore