Lajme

Pahor: Mali i Zi është favorit në procesin e anëtarësimit në BE


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

“Mali i Zi është favorit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në të ardhmen do të ishte e dobishme të vazhdohej në atë rrugë”

Kështu tha presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiç.

“Sot, dua që ju të dini se Sllovenia është miku dhe aleati juaj, sepse ju jeni miku dhe aleati ynë dhe unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për t’ju ndihmuar në rrugën tuaj drejt BE-së”, tha Pahor.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiç

Ndërkaq Beçiç, theksoi se Mali i Zi është një vend që nuk ka çështje të hapura dypalëshe dhe ka një politikë të jashtme 100 për qind të harmonizuar me politikën e BE-së.

Sipas tij, Mali i Zi është kandidati më i suksesshëm për anëtarësim në BE.

“Ndihma juaj për vendin tonë zoti President është e madhe dhe ju falënderoj për këtë. Duke vepruar kështu, ju keni treguar se bashkëpunimi i ndërsjellë është çelësi i prosperitetit dhe suksesit evropian. “Kur ndihmojmë njëri-tjetrin dhe i marrim të dyja, fiton edhe BE”, pohoi Beçiç.

Ai potencoi se Mali i Zi është i përkushtuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga anëtarësimi në NATO.

“Ne duhet ta lëmë Malin e Zi një anëtar të pajtuar dhe ekonomikisht të qëndrueshëm të BE-së për ata që vijnë pas nesh”, tha Beçiç.

Ndryshe presidenti slloven më 29 nëntor ishte për vizitë zyrtare në Kosovë dhe ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani, me ç ‘rast kishte deklaruar se BE duhet t’i liberalizojë vizat për Kosovën, ndërsa inkurajoi që institucionet të përqendrohen në dialogun me Serbinë.

Borut Pahor dhe Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët për media

 

“Sllovenia e mbështet perspektivën euro atlantike të Kosovës, Sllovenia e ka pranuar subjektivitetin e Kosovës dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe politike me të, Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së”, ka thënë Pahor.

Ai  theksoi gjithashtu se dy palët duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Dialogu nuk është i thjeshtë duhet të zgjidhen çështje shumë komplekse. fillimi i dialogut ka dhënë një bindje që çështjet më të rëndësishme mund të zgjidhen me dialog dhe rrugë të qetë. Kushti i parë është që t’i besohet dialogut dhe të respektohen marrëveshjet”.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore