Shqipëria

Paga mesatare është rritur me 7 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti


Gjatë tremujorit të dytë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, është 60 mijë e 666 lekë.

Referuar të dhënave, kjo pagë mesatare është rritur me 7,0 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri (lekë)

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit” është 2,16 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar.

Kurse në grup-aktivitetin “Bujqësi, pyje dhe peshkim” është 34,0 për qind më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2022 paga mesatare bruto për aktivitetin e “Ndërtimit”, ka rritjen më të madhe prej 13,4 për qind.

Ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i “Administratës publike dhe mbrojtjes, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale” prej 0,1 për qind.

Paga mesatare mujore bruto sipas aktiviteteve ekonomike(lekë)

Paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e “Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” është 68,4 për qind më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar.

Kurse në grupin e “Punëtorëve” (Profesione elementare) është 36,3 për qind më e ulët.

Gjatë tremujorit të dytë 2022, paga mesatare mujore bruto për grup-profesionin e “Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve” ka rritjen më të madhe prej 14,8 për qind.

Ndërkohë, rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i “Forcave të Armatosura” prej 0,2 për qind.

3Paga mesatare mujore bruto sipas grup-profesioneve

Punësimi

Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç rezulton 64,4 % gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Sakaq, ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2021 në tremujorin e dytë 2022, është +4.1 %.

Dhe në terma vjetorë, punësimi rritet me 7,1 % në sektorin e industrisë, me 2,0 % në sektorin e shërbimeve, dhe me 4,9 % në sektorin e bujqësisë.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,7 % krahasuar me tremujorin pararendës.

Punësimi u rrit me 1,6 % në sektorin e industrisë , me 2,3 % në sektorin e bujqësisë, dhe me 1,4 % në sektorin e shërbimeve.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 70,9 %, ndërsa për gratë është 58,2 %.

Për sa i përket shkallës së punësimit në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ajo është rritur për burrat me 3,1 pikë përqindje, ndërsa për gratë me 4,5 pikë përqindje.

Kurse shkalla e punësimit të të rinjve është 44,1 %.

Ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç, shkalla e punësimit është 74.1 %.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore