Lajme

Pafuqia e Numrave – Historia e koalicioneve në Kosovë


Nëse mblidhen ditët që partitë politike në Kosovë kalojnë në negociata për të formuar koalicione qeverisëse është përafërsisht kohë e njëjtë me mesataren e jetëgjatësisë së qeverive.

Nga viti 2001, kur u negociua për qeverinë e parë gjithëpërfshirëse dhe deri në vitin 2019 kur u themelua qeveria në mes të Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë afër 600 ditë negociata paszgjedhore. Derisa, jetëgjatësia e qeverive në Kosovë mesatarisht është diçka më shumë se 800 ditë.

Pra, koha që humbet duke biseduar se si të qeveriset dhe më kë, është përafërsisht e njëjtë me qeverisjen në vetvete dhe kjo përbën edhe tregimin e politikës kosovare në përgjithësi: biseda pafund dhe përfundime të shpejta.

Asnjë qeveri në Kosovë nuk e ka përfunduar mandatin e plotë, asnjëherë, dhe shumica e qeverive janë formuar pas vonesave të mëdha.

Sipas njohësve dhe studiuesve të shkencave politike në Kosovë, problemi është te fillimi (formimi i qeverisë së parë paslufte) dhe mënyra se si konceptohet qeverisja dhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë.

Artan Mustafa, hulumtues dhe profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Kosovë, thotë për Albanian Post se “për shkak të kontekstit dhe për shkak të përshtypjes së jashtme për konfliktin politik ekzistues në Kosovë, u krijua percepcioni ku të gjitha palët duhet të marrin pjesë në qeveri”.

Artan Mustafa

 

A i ka fajet sistemi?

Kosova është shtet parlamentar. Sistemin elektoral e ka proporcional me një zonë zgjedhore. Derisa parlamenti ka 120 ulëse gjithsejtë me 20 të rezervuara – 10 për serbët.

Praktikisht duket e pamundur që një parti e vetme politike ta fitojë pushtetin dhe qeveritë gjithmonë kanë qenë koalicione.

Sistemi i tillë ishte shtyrë shumë nga ndërkombëtarët. Logjika ishte që mbase më mirë të sigurohet një zhvillim i ngadalshëm i shtetit, sesa një degjenerim i shpejtë i pushtetit.

Një tjetër praktikë që ka rezultuar në problem, ka qenë numri i madh i partive që garojnë në zgjedhjet nacionale në Kosovë. Gjë që ka rezultuar me koalicione shumëpartiake që imponojnë më shumë kompromis dhe mundësojnë më pak përfaqësim.

Në zgjedhjet e para, ato të vitit 2001, patën marrë pjesë plot 26 parti politike. Në ato të 2004-ës 33 parti dhe pak a shumë, ky ka qenë numri. Nga këto parti, një numër i madh kanë qeverisur – në forma, kohëzgjatje dhe pozicione të ndryshme.

“Sot përgjegjësia për atë që nuk është bërë në Kosovë është shumë e pa-adresuar, për shkak që e ke të shpërndarë te një grup i madh i partive politike, që në rrethana të ndryshme kanë qeverisur me sektor të caktuar”, thotë Arben Ahmeti, drejtor i Kanal 10, për Albanian Post.

Arben Ahmeti

Këto koalicione të shumta, përveç nevojës për numra, sipas politikanit Zgjim Hyseni, i ka shkaktuar edhe “nevoja për konsensus”.

“Pas luftës, pas asaj ndarjes së thellë, çfare është krahu i luftës dhe krahu i paqes, kemi një shtytje drejt atyre që quhen politika të konsensusit. Kjo ka nis me koalicionin e parë ku janë futë të gjitha partitë politike dhe ka vazhduar pak a shumë njëjtë”, thotë Hyseni.

Kjo nisje, “e gabuar”, sipas Artan Mustafës, ka krijuar atë që në shkenca politike njihet si “teoria e vazhdimësisë”.

“Teoria e vazhdimësisë është teori me shumë peshë në shkencën politike: thuhet kur institucionet fillojnë ato e ruajnë atë kontinuitetin e vet. Gjithmonë krijohen interesa për t’i mbrojtur ato lloje të institucioneve”, shpjegon Mustafa.

Arsyeja përse asnjëherë nuk kanë zgjatuar koalicionet paszgjedhore është se ato, “që të gjitha, kanë qenë të pa natyrshme”, pohon publicisti Shkelzen Maliqi

I tillë i panatyrshëm ishte edhe koalicioni i vitit 2001. Nevoja për grumbullimin e numrave kishte mbledhur të gjitha partitë bashkë.

Pas zgjedhjeve, nevojitej formimi i koalicionit, meqë përkundër numrit të madh të votave që kishe marrë Ibrahim Rugova me LDK-në e tij, s’mjaftonin për të qeverisur vetëm. E dyta ishte partia e Hashim Thaçit.

Dallimet atë kohë ishin të madha – shkonin deri në armiqësi.

Rugova s’e donte në pushtet Thaçin dhe të njëjta dëshira kishte Thaçi për Rugovën.

U deshën plot 104 ditë negociata dhe presion i madh ndërkombëtar për të arritur deri tek një pajtim në qeverisje.

Rugova u bë president, por jo edhe Thaçi kryeministër. Derisa në qeveri u fut edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pushtet për të gjithë, në sasi të ndryshme.

Kjo edhe e vendosi praktikën e cila vazhdon papengueshëm.

Por, koalicione të tilla, ku nuk shikohet shumë përbashkimi ideologjik e programor, por kapja e numrave të nevojshëm, sipas Arben Ahmetit, ka sjellë pasoja – madje edhe për vetë partitë.

“Janë bërë me krijimin e një jo stabiliteti, por shpeshherë kanë qenë të dëmshme elektoralisht”, thotë ai.

“Pastaj kanë sjellë edhe brutalitetin e numrave në Kuvend, që nuk është mirë për demokracinë”.

Një nga më të dëmtuarat nga këto koalicione të panatyrshme është Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK-ja nga koha kur dilte padiskutueshëm e para, sot është një parti me vetëm 13% elektorat.

Në parti e kanë ndërtuar një narracion arsyetimi për këtë.

Sipas nënkryetarit në dorëheqje, Lutfi Hazirit, LDK-ja i ka bërë këto koalicione, sidomos në zgjedhjet menjëherë pas lufte, sepse “kemi dashur që mos ta lëndojmë Kosovën politikisht”.

“Krejt kompromiset tona në qeverisje dhe për qeverisje e kanë pajtuar Kosovën politikisht, kanë ndërtuar kulturë rivalitet e jo armiqësie.

Lutfi Haziri

Ndoshta në funksion të ndërtimit të kësaj kulture LDK-ja kishte provuar një tjetër eksperiment pas zgjedhjeve të vitit 2004.

Fitues i zgjedhjeve përsëri dhe me mbi 45 për qind të votave, Rugova kishte vendosur të futej në koalicion me Aleancën e Ramush Haradinajt.

Për më tepër, ishte arritur pajtim që Haradinaj me vetëm diçka më shumë se 8 për qind elektorat, të udhëheqë me qeverinë si kryeministër.

I befasishëm ishte edhe fakti që marrëveshja për koalicion ishte arritur relativisht shpejt, përkundër dallimeve të mëdha paraprake.

Dardan Gashi, opinionist dhe ish-zëvendëskryeministër në qeveri të mëvonshme të Kosovës, kujton se atëkohë LDK e AAK “kanë qenë dy pole diametralisht të kundërta”.

“Rugova ishte udhëheqës i Lëvizjes Paqësore dhe Ramush Haradanj në anën tjetër udhëheqës ushtarak. Gjuha mes tyre nuk ka qenë miqësore, me akuza të rënda”, kujton Gashi për Albanian Post.

Përkundër kësaj, pas vetëm 40 ditësh negociata, pajtimi ishte arritur.

Por, ndryshe nga Gashi, për Arben Ahmetin, përkundër se i ndërtuar nga dy botë të ndryshme politike, koalicioni i asaj kohe “kishte kuptim”.

“Koalicioni i Rugovës me Ramush Haradinajn ka qenë më i natyrshëm, për shkak që nuk ka qenë i ekzagjeruar dhe është bërë ekskluzivisht për numrat”.

Përveç se për numra, Rugova po llogariste edhe diçka tjetër, sipas Gashit.

“Ajo ka qenë edhe një tentativë e Rugovës që mos të jetë një bllok i partive të dala nga UÇK-ja dhe në anën tjetër LDK-ja. Ai bllok është thyer dhe prej atëherë kanë derivuar edhe koalicionet me PDK-në”.

Dardan Gashi

Zgjedhjet e ardhshme, ato të 2007-së do shënonin kapërcimin e madh politik.

Pa Rugovën në krye dhe e ndarë në dysh LDK-ja do pësonte një përgjysmim shkatërrues dhe rënie të votës së partisë me mbi 50 për qind.

Derisa PDK-ja e konsoliduar dhe me opozitë aktive përgjatë viteve të kaluara s’kishte nevojë ta rriste votën. Përgjysmimi i LDK-së ia mundësonte tashmë vendin e parë.

Përveç asaj, duke kopjuar modelin Britanik të qeverisë në hije, PDK dhe Hashim Thaçi përbënin risi në politikën kosovare.

Fitorja e PDK-së mbi LDK-në nuk ishte kapërcimi i vetëm i madh e asaj kohe. Pas zgjedhjeve do ndodhte ajo që pak kush e priste.

Dy rivalët e përbetuar do bënin koalicion duke formuar një qeveri që praktikisht e linte vendin pa opozitë. Çuditërisht e gjithë historia e ndarjes për këto dy parti nuk luajti rol në negocimet për koalicionin.

Mjaftuan 52 ditë nga dita e zgjedhjeve për të gjetur pajtim.

Në një analizë me ftohtësinë që krijon distanca afër 15 vjeçare nga atëherë, bashkimi i të mëdhenjve s’i ndihmoi shumë vendit – as atyre vetë, pohon Artan Mustafa, për Albanian Post.

“Qeveritë më të dobëta që i ka pas Kosova kanë qenë qeveritë e mëdha, ku dy partitë ma të rëndësishme PDK dhe LDK kanë qenë aty në qeveri”, thotë ai.

Pas përfundimit të procesit më të rëndësishëm, pavarësisë së shtetit, supozohej se kishte ardhur koha për një normalitet politik.

Zgjedhjet e ardhshme, ato të 2010-ës përsëri do t’i fitonte Thaçi me PDK-në e tij. LDK-ja u pozicionua prapë e dyta.

Thaçi, pas një tentative të dështuar për ta formuar qeverinë me Ramush Haradinajn, mori në koalicion Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe serbët e SLS-së.

Tash në Kuvend ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje që për herë të parë në garë kishte arritur një rezultat solid duke fituar 14 mandate.

Ishte hera e parë që parlamenti i Kosovës kishte pamje disi më normale dhe të balancuar.

Një koalicion qeverisës aq i madh sa për të udhëhequr, por i vogël për të qenë arrogant dhe një opozitë e qëndrueshme dhe shumë aktive kundrejt qeverisë.

Për Mustafën, “Qeveria më përfaqësuese ka qenë qeveria që kanë krijuar PDK-ja, AKR-ja dhe SLS-ja atëherë”.

“Ka qenë qeveria me një mazhorancë goxha të vogël, por për shkak se ka mundur ta përfaqësojë votuesin në mënyrën më të madhe dhe e ka lënë PDK-në të shprehet si udhëheqëse e qeverisë dhe se çka në të vërtetë ajo përfaqëson”.

Zgjedhjet e ardhshme pas atyre të 2010-ës do të ekspozonin një tjetër çudi në sistemin elektoral të Kosovës.

2014-ta kishte prodhuar një fitues, Partinë Demokratike të Kosovës, por interpretimet e fundit, të diktuara kryesisht nga Vetëvendosja, ishin se “formimi i qeverisë nuk është një garë veturash, ndaj s’ka shumë lidhje kush del i pari, me rëndësi është kush e ka shumicën”.

Ideja ishte që partitë e tjera të formonin koalicion, dhe partinë e parë ta dërgonin në opozitë.

Kështu Vetëvendosje, bashkë me LDK-në e AAK-në dhe partinë e re, Nismën për Kosovën, nënshkruan një marrëveshje që ato të udhëhiqnin qeverinë, kur PDK-ja në mungesë të partnerit s’do të mund t’i bëjë numrat.

Ky ka qenë edhe momenti i kthesës për Albin Kurtin, sipas Shkëlzen Maliqit.

“Nga ai moment Kurti e ndërroi këtë optikën, u bë pragmatist dhe e pa se mund të fitohet pushteti edhe me numra dhe gradualisht edhe e arriti qëllimin”.

Shkëlzen Maliqi

Gjithsesi, në atë kohë, matematikat nuk kishin dalur.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që thoshte se kryetari i parlamentit me automatizëm i takon fituesit i prishi planet.

Më pas LDK-ja u kthye kah PDK-ja për ta formuar bashkë qeverinë – përsëri.

Kjo do ta përbënte edhe vonesën më të madhe të shënuar ndonjëherë për t’u arritur formimi i qeverisë.

Ishin plot 164 ditë vonesë nga dita e zgjedhjeve, deri tek ajo e arritjes së marrëveshjes.

Këtë herë kryeministri i takonte LDK-së, por qeverisja e dy partive të mëdha nuk eci gjatë.

U deshën 164 ditë për ta arritur, por nuk zgjati më shumë se 883 ditë.

Dardan Gashi, në intervistë për Albanian Post, pohon se në këtë koalicion “thyerjet kryesore kanë qenë jo për shkak të numrave ose pozitave, por për shkak të demarkacionit dhe dialogut”.

Edhe në zgjedhjet e ardhshme përafërsisht ndodhi njëjtë. Logjika e funksionimit politik nuk dallonte shumë.

Kryesisht ishte i njëjti cikël.

Zgjedhje, shumë negociata, qeveri, pak qeverisje dhe përsëri zgjedhje.

Njëjtë ndodhi edhe në vitin 2017.

Në fakt, koalicioni atëherë ishte arritur para zgjedhjeve. Por, bashkëpunimi në mes partive të ashtuquajtura të luftës, AAK-së, PDK-së e Nismës, do përfundonte shpejt.

Gashi, që ishte pjesë e kësaj qeverie, thotë se “viti i parë ka funksionuar mirë”.

“Por, pas vitit të dytë ka nisur që mos të funksionojë mirë, sepse mungesa e respektimit të parimeve dhe llojllojshmëria në qeveri e bëri të vetën”.

“Një qeveri sa më heterogjene që është aq më vështirë është që të gjenden pikat e përbashkëta. Dhe kjo është njëra prej arsyeve pse ne përfundojmë me rrëzim të qeverisë larg para kohës”.

Bisedime pa fund deri te arritja e koalicionit kishte edhe në vitin 2019 në zgjedhjet ku Lëvizja Vetëvendosje e mposhti për pak LDK-në.

Përkundër se e kishin ndarë mendjen moti që të qeverisnin bashkë, u deshën plotë 119 ditë që të arrihej marrëveshja, për t’u shkatërruar pas vetëm 50 ditësh dhe zëvendësuar me një tjetër qeveri, e cila po ashtu s’iu shmang dot destinacionit të përhershëm; zgjedhjeve të parakohshme.

 

Qeveria e parë pa koalicion?

Zgjedhjet e 14 shkurtit kanë prodhuar një rezultat aq të ndryshëm sa mund ta ndryshojë edhe këtë zakon bisedash të gjata për koalicione.

Natyra e ndryshimit megjithatë, është e diskutueshme.

“Situatën në të cilën gjendemi, qoftë nëse e shikon në kuptim të praktikës së marrëdhënies midis subjekteve, qoftë nëse e shikon ideologjikisht është non-sens të presësh koalicione”, thotë Zgjim Hyseni, dikur anëtar i Vetëvendosjes.

Zgjim Hyseni

“Kjo për shkak që pozicioni krejt dhe drejt është diskurs totalitar, nuk e njeh tjetrin si subjekt, e duke mos e njohur tjetrin si subjekt nuk është e pritshme të ketë partneritet dhe mundësi për kompromise”.

Edhe Shkëlzen Maliqi pohon se “duket që subjekti fitues i ka numrat që të lidhë koalicion vetëm me pakicat dhe e krijon qeverinë”, çka do të përbënte risi në Kosovën e pasluftës.

Ndërsa Ahmeti, gazetari që udhëheqë me televizionin “Kanal 10”, mundësinë që të bëhet qeveria pa koalicion, por veç nga një parti, e sheh si diçka pozitive.

Sipas tij, kështu është e mundur t’i mbash në përgjegjësi ata që udhëheqin, sepse s’e kanë arsyetimin se u deshën kompromise me partnerin e koalicionit.

“Nëse e kanë premtuar Vjosa Osmanin presidente, duhet ta bëjnë Vjosa Osmanin presidente. Nëse e kanë premtuar Albin Kurtin kryeministër, duhet ta bëjnë Albin Kurtin kryeministër”.

“Për këtë iu ka besuar dhe i ka votuar qytetari”, thotë Ahmeti.

Qytetari mbetet në pritje, derisa pritet edhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për të parë më mirë se ku qëndron secili.

Këtë herë megjithatë nuk do të nevojiten vetëm 61 vota për qeverinë, por minimalisht 80 deputetë që qëndrojnë në sallë, sepse votohet edhe presidenti.

Sipas Maliqit, njohës i hershëm i politikës dhe gjithashtu njohës i sondazheve, “parashikimet janë që ndoshta edhe këtë mund ta tejkalojnë”.

Po ndodhi kështu, do të jetë hera e parë që një parti politike bëhet adresë e vetme për tri pozitat kyçe në institucionet e Kosovës – kryeministrinë, kreun e parlamentit dhe presidencën.

Diçka e tillë, sipas Dardan Gashit, është e rrezikshme për demokracinë e re të Kosovës.

“Është koncentrim shumë i madh i pushtetit”, thotë ai.

Por, jo të gjithë e shohin me lentë negative këtë opsion. Ahmeti pajtohet që është “e frikshme”, por thotë se “në rrethanat në të cilat në Kosovë nuk është adresuar përgjegjësia është edhe e mirëseardhur, për shkak që tashmë e kemi adresën për gjithçka që nuk do të ndodhë”.

Edhe për Mustafën, është mirë që VV-ja ta marrë vetëm qeverinë.

“Do të ishte për mua gabim shumë serioz i VV-së në qoftë se e futë edhe ndonjë prej partive të tjera në qeverinë e vet. Duhet ta përfaqësojë atë për të cilën qëndron”.

“Gjithashtu i duhet të përcaktohet se a është e interesuar të punojë për një shtet të Kosovës që është ma i barabartë, apo nuk është e përcaktuar për shtetin e Kosovës. Sepse nuk e dimë”, thotë Mustafa.

Çfarë dihet qartë është vullneti i qytetarëve për ndryshim.

Megjithatë, siç ndodh rëndom në Kosovë, puna nuk ka mbaruar me përcaktimin qytetar në ditën e zgjedhjeve.

Vetëvendosje qëndron e vetme në një skaj, e larguar nga partitë të tjera politike shqiptare.

Lidhja Demokratike me kryetar e kryesi të dorëhequr po provon ta ri-gjejë vetën.

Kurse Partia Demokratike, pa kryetar dhe me rezultate zgjedhore që nuk e përcaktojnë dot nëse është i mirë, apo i keq për ta, po qëndron në hamendje konstante.

Në kohën kur partitë shqiptare merren me vetën dhe njëri tjetrin, në anën tjetër Lista Serbe ka fituar terren.

Derisa 10 vendet e rezervuara tashmë i kanë të tyre, ata kanë projektuar një strategji që ua ka rritur numrat në parlament dhe rrjedhimisht fuqinë shantazhuese dhe apetitet politike.

Lista ka urdhëruar qytetarët serbë të Kosovës, që votën ta shpërndajnë te kandidatët e komuniteteve të tjera si boshnjakë e ashkali, që më pas t’i kenë nën diktatin e tyre.

Gjasat janë se ia kanë arritur.

Në legjislaturën e ardhshme në Kosovë, Lista Serbe pritet të kontrollojë 14 deputetë.

10 të tyret dhe katër të komuniteteve tjera që ua mundësuan karrigen për t’ua dirigjuar qëndrimet.

 

E ardhmja e paqartë

Vetëvendosje e ka fituar votën dhe e ka fituar ashtu siç ka dashur – Krejt.

Por, sa Drejt do ta adresojë atë votë i takon të ardhshmes së pa spekulueshme.

Edhe pse, nëse gjërat nuk shkojnë si duhet as për ta as për të tjerët, kosovarët prapë e kanë opsionin e përhershëm.

Zgjedhjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore