Lajme

Paditet Muzeu Guggenheim për kthimin e një pikture të Picasso-s


Trashëgimtari i një familjeje të njohur hebreje gjermane ka paditur Muzeun Guggenheim të New York-ut për kthimin e një pikture të Pablo Picasso-s.

Për të, ai ka treguar se është shitur nën kërcënimin e persekutimit nazist 85 vjet më parë.

Në padi pretendohet se piktura e titulluar “Woman Ironing” (1904) u shit me detyrim në vitin 1938, kur pronari i saj, Karl Adler, nxitoi të ikte nga Gjermania naziste bashkë me gruan, Rosi Jacobi.

Paditësit, duke përfshirë një nga pasardhësit e drejtpërdrejtë të Adler dhe Jacobi, Thomas Bennigson, dhe disa organizata bamirëse hebreje, po kërkojnë ose kthimin e veprës ose dëmshpërblim që variojnë nga 100 milionë dollarë deri në 200 milionë dollarë.

Sakaq, padia u depozitua sipas dispozitave të Aktit të Rimëkëmbjes së Artit të Shpronësuar të Holokaustit të vitit 2016 dhe u kërkon gjyqtarëve të konstatojnë nëse vepra është shitur në mënyrë të paligjshme.

Asokohe kryetar i bordit të drejtorëve të një kompanie të madhe lëkure, Adler e bleu pikturën e Picasso-s në vitin 1916 nga pronari i galerisë së Mynihut Heinrich Thannhauser.

22 vjet më vonë, biznesmeni dhe gruaja e tij u larguan nga Gjermania pas kërcënimeve në rritje për persekutim nga nazistët.

Çifti planifikoi të emigronte në Argjentinë dhe kishte nevojë për para për të mbuluar shpenzimet e vizave afatshkurtra dhe taksën e fluturimit të vendosur nga nazistët.

Në një përpjekje për të likuiduar asetet e tij, Adler ia shiti “Ironing Woman” djalit të Heinrich Thannhauser, Justin Thannhauser, për 1 mijë e 552 dollarë, ose rreth 32 mijë dollarë sot.

Ndërkohë, padia e trashëgimtarit e përcakton shitjen si “të detyruar” dhe çmimin “shumë nën vlerën e tregut”.

“Thannhauser, si një tregtar i madh i artit të Picasso-s, duhet ta ketë ditur se e kishte blerë pikturën me një çmim të volitshëm”, thuhet në padi.

“Në kohën e shitjes, Thannhauser po blinte kryevepra të ngjashme nga hebrenjtë e tjerë gjermanë që po iknin nga Gjermania dhe po përfitonin nga fatkeqësitë e tyre”, vijon padia.

Po ashtu thuhet se “Thannhauser ishte i vetëdijshëm për situatën e Adler-it dhe familjes së tij dhe për faktin se, nëse nuk do të kishte pasur persekutim nazist, nuk do ta shiste kurrë pikturën me atë çmim”.

Por Guggenheim ka deklaruar se rasti i paditësit është “i pabazë”.

“Woman Ironing”, sipas muzeut, hyri në koleksionin në vitin 1978, pas një hua të zgjatur dhe premtimit të Justin Thannhauser për një donacion në vitin 1965.

Përpara se blerja të ishte përfundimtare, administruesit e Guggenheim hetuan të kaluarën e pikturës dhe kontaktuan djalin e Karl Adler, Eric Adler, si pjesë e hetimit.

Sipas muzeut, ky i fundit “nuk ngriti asnjë shqetësim për pikturën apo shitjen e saj”. Dhe se ata vetë ishin hebrenj dhe i nënshtroheshin persekutimit nazist.

Piktura është aktualisht e ekspozuar në muze, siç ka qenë thuajse vazhdimisht që kur është blerë 45 vjet më parë.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore