Lajme

Pacolli skeptik ndaj rritjes ekonomike 7-8%


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re dhe Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur mosbesues ndaj shifrave të proklamuara të rritjes ekonomike për 7 ose 8 përqind.

Këtë skepticizëm Pacolli e sqaroi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Lexova që po pretendohet se në Kosovë do të ketë rritje të ekonomike mbi 7% në krahasim me vitin e kaluar”, shkroi ai.

“Vitin e kaluar kemi pasur një stagnim të ekonomisë për shkak të zgjedhjeve, ndryshimit të qeverive dhe pandemisë. Edhe pse ky krahasim nuk mund të jetë krahasim i mirë, prapë se prapë, PËR FAT TË KEQ këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7 apo 8 % ashtu si po pretendojnë”, shtoi fillimisht Pacolli.

Ai tha se këtë vit në Kosovë “nuk ka pasur investime të rëndësishme që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve; Vende pune nuk u krijuan në masën e pretenduar, Nuk ka pasur rritje të pagave (të hyrave) Nuk ka pasur rritje të pensioneve (përveç premtimeve për ndihmë), Nuk ka pasur krijime të reja të operatorëve ekonomikë, Nuk kishte të ardhura shtesë për shtetin (përveç remitancave)”.

“Nga ana vjetër”, potencon ai, “i gjithë viti 2021 karakterizohet me ngecje të investimeve në infrastrukturë, nuk pati ndërtime të reja infrastrukturore (të çfarëdo lloji) munguan edhe riparime për dëmet nga përmbytjet vitin e kaluar”.

“Gjithashtu nuk ka asnjë shenjë se ka ndryshime të mëdha në rritjen e PBB-së në krahasim me vitin e kaluar kur ekonomia e vendit filloi të ngecë”.

Prandaj, konsideron Behgjet Pacolli, “tendenca për të krijuar narrativën se ka rritje ekonomike (bazuar në rritjen e çmimeve të mallrave, pa rritur të ardhurat) është thjesht një “simulim” (një term i njohur në ekonomi) ose një tendencë për të besuar se ka rritje të produktivitetit, por kjo nuk është rritje reale ekonomike”.

“Kosova këtë vit ka gjasa të mbajë rritjen ekonomike afër 5%, që është mesatarja e dy viteve të fundit falë volumit të remitancave por jo faktorëve të rëndësishëm që përmenda më lart”, përfundon ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore