Lajme

Pacolli për krizën energjetike: Termocentrali me bazë gazi si lëndë djegëse do të ishte zgjidhje


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, teksa ka reaguar për situatën e aktuale energjetike në vend, ka thënë se zgjidhja për këtë do të ishte një termocentral që prodhon energji elektrike me bazë gazi si lëndë djegëse.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se askush nuk e kishte përkrahur në idenë që pati propozuar.

“Sa e nevojshme do të ishte tani ekzistenca e një termocentrali që do të prodhonte energji elektrike me bazë gazi si lëndë djegëse. Unë e kam theksuar këtë dhe kam insistuar që kjo të ndodhë në Kosovë”, ka shkruar Pacolli.

“Në vitin 2007/2009 kemi pasur investitorë potencialë për gazifikimin e linjitit tonë dhe më tej ndërtimin e një termocentrali me gaz, prej 550 mgw. Për këtë propozim në atë kohë më akuzuan hapur se dua të dëmtoj resurset e Kosovës dhe thanë se linjiti është lënda jonë e parë e përhershme. Askush nuk më besoi se linjiti i pa transformuar nuk mund të përdoret në të ardhmen”, shtoi ai.

Sipas tij, “po dëshmohet” se për të krijuar diçka të vlefshme, ka nevojë për një vizion të qartë.

“Më vjen keq që në atë kohë askush nuk më erdhi në ndihmë për të mundësuar realizimin e këtij projekti, e tani duket se çmimi i energjisë po rritet në mënyrë të pakontrolluar”.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se sipas tij do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve, do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike”.

Po ashtu, Kurti ka treguar se në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës, KOSTT-it dhe KFË për projektin zhvillimi i sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

“Sa i përket vendimit të miratuar në qeveri lidhur me marrëveshjen e kredisë, pas ratifikimit në kuvend menjëherë në vitin e ardhshëm do të fillojmë me implementimin e saj”.

“Do të bëjmë krejt çka dimë e mundemi me kapacitetet që kemi në mënyrë që t’u dalim në ndihmë qytetarëve. Andaj e kuptojmë q është situatë e rëndë por nuk kemi ndërmend që të kursejmë për qytetarët tanë, por i ftojmë ata që ta kursejnë energjinë elektrike që është pasuri e këtij vendi”.

“Është një krizë energjetike që na ka gjetur me stabilimente të vjetruara, me rrjet të ngarkuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore