Kosova

Pacolli: Kurtit jam i gatshëm t’i jap pjesë të programit për hir të Kosovës


Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka shprehur gatishmëri që të japë pjesë nga programi i tij Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se këtë po e bën veç për hir të Kosovës.

“S’kemi kontakt me Kurtin. Kontaktet janë ndërprerë prej momentit kur ia kam dorëzuar detyrën në qeverisjen e parë, por jam i gatshëm t’iu jap pjesë të programit për hir të Kosovë, për arsye se te unë ndahet shapi prej sheqerit”.

Sipas Pacollit, interesat e Kosovës duhet të jenë prioritet.

“Kur flitet për interesat e Kosovës atëherë bien poshtë interesat ideologjike, partiake dhe personale. Këto janë synimet e mia. Nëse është diçka e mirë për Kosovën jam i gatshëm të kontribuoj edhe në të ardhmen”, deklaroi ai në emisionin Sytë 7.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Ndërkaq, u shpreh se partinë e Kurtit e ka parë si bashkëpunëtore për implementimin e programit të tij qeverisës, mirëpo që shkaku i dallimeve ideologjike kjo tentativë nuk është realizuar.

“Ne me Vetëvendosjen kemi pasë një tentativë që të bashkëpunojmë në të ardhmen. Kemi punuar në vitin 2016 që të harmonizojmë programet tona”.

“Kam qenë gati i bindur se mos Vetëvendosje është ajo partia e cila do të marrë shumëçka prej programit tonë dhe do ta ketë program të ardhshëm qeveritar. Ne nuk patëm fat të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen për shkak të problemeve ideologjike dhe u ndamë aty”.

Po ashtu, kryetari i AKR-së theksoi se përkundër që ka qenë pjesë e qeverisjes në të kaluarën, nuk ka arritur të zbatojë planet e tij në mënyrën si ka dashur për të krijuar vendet e reja të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore