Lajme

Pack: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa marrëveshje me Kosovën – Vuçiç po luan me zjarrin


Doris Pack

Ish-deputetja gjermane e Parlamentit Evropian, Doris Pack, në një intervistë për të përditshmen kroate “Jutarnji”, foli për sfidat urgjente me të cilat po përballet Bashkimi Evropian, sidomos sa i përket polikës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Serbia dhe Mali i Zi, sipas saj, po zbatojnë ngadalë reformat dhe nuk duket sikur po nxitojnë të anëtarësohen, ndërsa shtoi se në rastin e Serbisë është edhe mosmarrëveshja me Kosovën, sepse askush nuk mund të hyjë në BE pa i zgjidhur problemet me fqinjët.

“Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa i zgjidhur më parë problemet me Kosovën. Serbia po luan me zjarrin nëse, në këtë fazë kritike të agresionit rus kundër Ukrainës, nuk zgjedhin pa rezerva BE-në”, potencoi ajo.

Ajo pati disa fjalë edhe për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në daljet e tij publike shpesh flet për politikën e balancimit. Edhe pse Kushtetuta e Serbisë thotë se ky vend bazohet në parimet dhe vlerat evropiane, zyrtarët serbë mbajnë marrëdhënie të ngushta edhe me Kinën.

“Presidenti Vuçiç e puthi një herë flamurin kinez, pasi Pekini i dhuroi maska ​​në fillim të pandemisë. A e ka puthur ndonjëherë flamurin e BE-së? A janë të vetëdijshëm qytetarët e Serbisë se sa e ndihmon BE-ja vendin e tyre?”, pyeti Pack.

Ndër të tjera drejtoresha e Institutit “Robert Schuman”, ka komentuar edhe situatën politike në Maqedoninë e Veriut dhe atë në Bosnjë-Hercegovinë. Maqedonia e Veriut, sipas saj, do të jetë shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që anëtarësohet në BE, kurse Bosnjë-Hercegovina duhet të jetojë me Marrëveshjen e Dejtonit.

“BeH duhet të jetojë me Marrëveshjen e Dejtonit. Por lëvizjet nacionaliste që mbrojnë shkëputjen janë ende në rritje atje. Nuk duhet të injorojmë ndikimin që Serbia dhe Rusia kanë në Bosnje dhe Hercegovinë”, theksoi Pack.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore