Sport

Ozil tërhiqet nga futbolli i luajtur


Mesfushori me origjinë turke, Mesut Ozil, ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ozil, i cili përmes një njoftimi në rrjetet sociale lajmëroi se i ka “varë këpucët në gozhdë”.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Mesut Özil (@m10_official)

“Pasi shqyrtova këtë gjë, po njoftoj tërheqjen time të menjëhershme nga futbolli profesionist”, ka shkruar Ozil në profilin e tij në Instagram.

“Kam pasur privilegjin të jem futbollist profesionist për gati 17 vjet tani dhe ndihem jashtëzakonisht mirënjohës për mundësinë”.

“Por, në javët dhe muajt e fundit, pasi kam pësuar edhe disa lëndime, është bërë gjithnjë e më e qartë se është koha për t’u larguar nga skena e madhe e futbollit”, ishin disa nga fjalët e Ozil.

34-vjeçari më pas falënderoi të gjithë ata me të cilët luajti në klubet respektive.

“Ka qenë një udhëtim i mahnitshëm i mbushur me momente dhe emocione të paharrueshme. Dua të falënderoj klubet e mia – Schalke 04, Werder Bremen, Real Madrid, Arsenal, Fenerbahce, Basaksehir dhe trajnerët që më mbështetën”, ishin disa nga fjalët e Ozil.

Kujtojmë që mesfushori me origjinë turke e nisi karrierën në Gjermani te skuadra e Schalke 04, para se të transferohej në Werder Bremen na janar të vitit 2008 për 5 milionë euro.

Më pas, në Botërorin e vitit 2010, Ozil shkëlqeu, çka bëri që Real Madrid-i ta transferonte për shumën e 18 milionë eurove.

Në Real Madrid, Ozil luajti për 159 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave kishte shënuar 27 gola dhe kishte dhuruar 81 asistime.

Më pas, Arsenal-i e bleu atë për rreth 50 milionë euro nga Real Madrid-i dhe turku qëndëroi në Londër për tetë sezone, ku luajti në 254 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave shënoi 44 gola dhe dhuroi 79 asistime.

Pastaj, ai u transferua në Turqi te skuadra e Fenerbahce-s, ku qëndroi për dy sezone, mandej u transferua te skuadra e Istanbul Basaksehir, prej aty ku edhe e përfundoi karrierën.

Ozil ishte futbollist i grupmoshave të kombëtares së Gjermanisë, i cili me Kombëtaren A pati 92 ndeshje zyrtare dhe 23 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore