Lajme

OVL-UÇK pret veprime nga Qeveria për çështjen e Marty-it


OVL-UÇK

Deklarimet e ish-senatorit Dick Marty, se është kërcënuar me vrasje nga shërbimi serb në mënyrë që faji t’u hidhet shqiptarëve, sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet lënë anash, por autoritetet e shtetit të Kosovës këtë çështje duhet të ngrenë në instanca ndërkombëtare.

Sipas Faton Klinakut, OVL-UÇK pret veprime konkrete nga Kosova ashtu edhe nga autoritetet e Shqipërisë, lidhur me këtë çështje.

“Shteti i Kosovës sot s’do të duhej të heshtte. Qoftë Qeveria, Kuvendi apo Presidenca. Sidomos tash kur gjoja po kërcënohet nga shërbimi serb, e ta ngrejë si çështje në takime me organizmat ndërkombëtarë sepse është luftë kundër Kosovës dhe UÇK-së”, ka thënë Klinaku.

Ai ka shtuar se nga Shqipëria presin që të iniciojë rezolutë të re në Këshillin e Evropës për ta hedhur poshtë raportin e Martyt me të cilin akuzohej UÇK-ja për trafikim organesh.

OVL-UÇK-ja ka kërkuar gjithashtu që edhe Gjykata Speciale ta ftojë si dëshmitarë Marty-in.

“Mendoj se me deklarimet e Dick Marty parlamenti është dashur që përmes ministrisë së Punëve të Jashtme të kërkojë nga parlamenti evropian të sqarohen pretendimet e tij ndaj ‘shtëpisë së verdhë’”, ka shtuar Klinaku.

Ndryshe veprim të sinkronizuar shpërfillës dhe heshtës e ka quajtur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, bojkotimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj thirrjes për mbledhje urgjente të Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së, ku do të diskutohej rreth deklarimeve të fundit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty-it.

Ndonëse një temë e cila përbën interes madhor shtetëror dhe historik për Kosovën, Musliu tha se shteti në fakt “vendosi të heshtë”.

“Nuk e kuptoj se ku duan të dalin këta njerëz, me këto veprime. Duke e pasur edhe parasysh që e gjithë bota flet për këtë çështje dhe në vend që Kosova ta shfrytëzojë rastin që ta adresojë këtë problem në organet më të larta vendimmarrëse nëpër botë, dhe të hedh dritë mbi luftën e pastërt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shteti i Kosovës ka zgjedhur të heshtë”, ka thënë Musliu për Albanian Post.

Ish-senatori zviceran Marty që nga dhjetori 2020 është në mbrojtje të lartë policore.

Në një intervistë në emisionin “Mise au point”, Marty kishte potencuar se ai ishte kërcënuar me vdekje nga qarqe të caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, për të fajësuar më pas shqiptarët nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore