Lajme

OVL-UÇK për dërgimin e trupave serbë në Kosovë: Ballafaqohemi edhe ushtarakisht nëse ka nevojë


Ilustrim

Kërkesës së Serbisë për dërgimin e 1 mijë pjesëtarëve serbë nga institucionet e sigurisë në Kosovë do t’u dalin përballë Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kështu të paktën ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kësaj organizate, Faton Klinaku, në një konferencë për media.

Zyrtarë serbë, të premten kanë dërguar kërkesë zyrtare misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për dislokimin e deri 1 mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, duke pretenduar se jetët e minoritet serb atje janë në rrezik.

Sipas Klinakut në momentin që rrezikohet Policia e Kosovës, OVL-UÇK-ja do t’i dalin asaj në mbrojtje.

“Nëse dikush mendon t’ia realizojë kërkesën e Serbisë për futje të 1 mijë trupave në Kosovë, ne u themi atyre se ne u kemi dalë përballë 50 mijë e 100 mijë trupave gjatë luftës në Kosovë, e natyrisht se do t’u dalim sërish përballë dhe do të ballafaqohen edhe ushtarakisht me ne si luftëtarë të UÇK-së. Presim që të mos vijë deri te kjo situatë”, ka thënë Klinaku.

Faton Klinaku

Ndryshe, zyrtarët më të lartë insitucionalë në Serbi, pas tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë organizuar rreth një tendence qesharake për kthimin e personelit serb në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së OKB-së e vitit 1999 (sipas rezolutës nuk specifikohet që trupat të jenë ushtarakë, pra literalisht saktësohet të jenë qindra, jo mijëra).

Ky pretendim u kundërshtua në mënyrë të ashpër nga emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Baerbock.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore