Kosova

Osmani: Veprimi i KQZ-së anti kushtetues


“Ajo që kemi parë nga KZQ-ja ka qenë e paprecedente. Si presidente, kam detyrimin të siguroj funksionimin kushtetues të institucioneve”.

Kjo ka qenë deklarata e presidentes në detyrë në Kosovë, Vjosa Osmani, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për mos certifikimin e listave të disa subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në 14 shkurt.

“U bë një presion marramendës dhe pati kërcënim politik ndaj KQZ-së”, deklaroi Osmani. “Unë kam detyrë të siguroj funksionimin kushtetues të institucioneve”.

Presidentja në detyrë theksoi faktin se zgjedhjet e 14 shkurtit, duhen mbajtur me çdo kusht. “Nuk duhet të biem në kurthet që ky proces të stërzgjatet. Qytetarët duhet të votojnë për atë kë përkrahin”, shtoi ajo.

Osmani i bëri thirrje anëtarëve të KQZ-së për paanshmëri. Ajo gjithashtu cilësoi se qytetarët duhet të ruajnë maturinë dhe të mbrojnë procesin zgjedhor. “Kemi kërkuar ndihmë edhe nga shtetet mike”, tha presidentja.

“Mbajtja e zgjedhjeve të lira është parakusht i funksionimit demokratik të vendit. Këtë test, duhet ta kalojmë të gjithë së bashku”.

Deklaratat e Osmanit vijnë pas vendimit të KQZ-së, për të mos certifikuar listat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës.

Një paralajmërim i mëparshëm është bërë nga institucioni zgjedhor, për pastrimin e listave të këtyre subjekteve. Sipas KQZ-së, pjesë të listave kanë qenë njerëz me dënime të formës së prerë në tre vitet e fundit.

Çfarë parashikon ligji për këto situata?

Problemi fillestar erdhi me heqjen e mandatit të deputetit Etem Arifi, nga Gjykata Kushtetuese. Vota e Arifit, ishte vendimtare për qeverinë Hoti, pasi me anë të saj, u fitua votëbesimi i Kuvendit.

Heqja e mandatit të Arifit, çoi në marrjen e vendimit për zgjedhje të parakohshme. Pas vendimit të Kushtetueses, presidentja në detyrë, Osmani, caktoi 14 shkurtin si ditë zgjedhore.

Arsyetimi për heqjen e mandatit të deputetit Arifi, ishte një vendim i formës së prerë që ai kishte marrë për veprën penale të mashtrimit me subvencione. Gjykata e Prishtinës e dha vendimin e formës së prerë në mars të vitit 2020.

Menjëherë kjo ngjalli debate në Kosovë, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka një dënim nga Gjykata e Prishtinës në 2018-ën. Kjo, për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend.

Duke iu referuar vendimit të Kushtetueses, kandidimi i Kurtit do të ishte i pamundur, për shkak të këtij vendimi. Vetë gjykata gjithsesi, në vendimin e plotë të ish-deputetit Arifi, del kontradiktore në atë çfarë thotë.

Në pikën 297 të vendimit, përcaktohet se një person nuk mund të kandidojë nëse është dënuar për vepër penale në tre vitet e fundit. Pavarësisht kësaj, një aktgjykim i 19 shtatorit të 2017-ës i Gjykatës Supreme, saktëson se në vendim, duhet të jetë e shkruar me vendim gjyqësor heqja e të drejtës për t’u zgjedhur.

Në mbyllje të arsyetimit, Kushtetuesja përfundon se vendimi për kandidimet ose jo, i takon KQZ-së.

Kalimi i Osmanit tek Vetëvendosje

Vjosa Osmani ka ndryshuar qëndrimin e saj politik që prej votimit të qeverisë Hoti. Ish-deputetja e Lëvizjes Demokratike të Kosovës (LDK), i doli kundër vendimit të partisë së saj, për t’u larguar nga koalicioni qeverisës me Albin Kurtin.

Nga ana tjetër, LDK-ja formoi një koalicion të ri, duke lënë LVV-në në opozitë. Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës, i doli kundër edhe kësaj lëvizjeje.

Ajo krijoi një front opozitar, duke mbajtur anën e Kurtit në Parlament. Një çast me rëndësi ishte dhe dorëheqja e Hashim Thaçit nga posti i Presidentit të Kosovës. Kjo, pas konfirmimit të aktakuzave për krime lufte nga Dhomat Speciale në Gjykatën e Hagës.

Posti i presidentes në detyrë, i kaloi sipas ligjit Vjosa Osmanit.

Me caktimin e zgjedhjeve të parakohshme, kryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht presidentja në detyrë, iu bashkua Albin Kurtit, duke vendosur emrin e saj, si numri dy i listës zgjedhore të LVV-së.

Mbetet tashmë për t’u parë lëvizja e radhës politike dhe institucionale në Kosovë. Çështja nëse deputetët do të lejohen ose jo të garojnë, është e ndërlikuar. Veçanërisht, çështja nëse Kurti, do të lejohet ose jo të kandidojë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore