Lajme

Osmani uron Erdoganin për fitoren në zgjedhjet presidenciale


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar homologun e saj nga Turqia, Recep Tayyip Erdogan, për fitoren në zgjedhjet e sotme presidenciale.

“Presidentja Osmani, në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ka uruar Presidentin Erdogan, duke shprehur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Osmani.

Ashtu siç ishte parashikuar, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka fituar këtë të diel të 28 majit zgjedhjet presidenciale të vendit.

Kjo pas një balotazhi me kundërshtarin e tij kryesor, kreun e opozitës, Kemal Kilicdaroglu.

Erdogan arriti të merrte 52.07 % të votave ndërsa Kilicdaroglu 47.93 %.

Të dyja agjencitë kryesore të lajmeve “Anadolu” dhe “Anka” e kanë projektuar atë fitues të zgjedhjeve  – kjo me  99.08 % të kutive të numëruara.

Kreu i Këshillit Zgjedhor, Ahmet Yener, tha se numri i votave të numëruara është mbi 26 millionë.

Por fitorja e Erdogan është cilësuar si më “e ngushtë nga sa pritej”.

Më shumë se 64.1 milionë njerëz ishin të regjistruar për të votuar, duke përfshirë mbi 1.92 milionë të cilët tashmë kanë votuar në qendrat e votimit jashtë shtetit.

Gjithsej 191 mijë e 885 kuti votimi ishin ngritur për votuesit në vend. Votimi jashtë shtetit u mbajt deri më 24 maj.

Miliona votues shkuan në kutitë e votimit më 14 maj për të zgjedhur presidentin e vendit dhe anëtarët e Parlamentit prej 600 vendesh.

Aleanca Popullore e Erdoganit fitoi një shumicë kundër Aleancës Kombeve gjashtëpartiake të opozitës në Parlament.

Erdogan fiton zgjedhjet presidenciale në Turqi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore