Lajme

Osmani takon Pendarovskin: Anëtarësimi në BE do ta pengonte ndikimin rus në rajon


Stevo Pendarovski dhe Vkosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e Forumit të Prespës, është takuar të premten me homologun e saj maqedonas, Stevo Pendarovski, me të cilën kanë diskutuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ku Osmani ka thënë se sa më shpejtë që një gjë e tillë ndodh, aq më shumë do të pengohet ndikimi rus në rajon.

Osmani më tej në takim ka rikonfirmuar raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetjen e ndërsjellë drejt integrimit evropian si dhe qëndrimin e përbashkët në raport me situatën e sigurisë në Evropë, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Sa më shpejtë që vendet e përkushtuara të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së, aq më shumë do të pengohet ndikimi rus në rajon nëpërmjet satelitëve të saj. Me presidentin Pendarovski do ta vazhdojmë komunikimin e ngushtë për t’i përafruar dy vendet tona”, ka theksuar Osmani.

Takimin në fjalë ka lajmëruar edhe Presidenti maqedonas, i cili përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, ndër të tjera ka shkruar se gjatë takimin me Osmanin ka theksuar faktin se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë një gjë kruciale për të gjithë.

Me ftesë të Pendarovskit, Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili po zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore