Kosova

Osmani takon kryesuesin e OSBE-së: Jemi në ballë të progresit në rajon dhe me gjerë për forcimin e sundimit të ligjit


Vjosa Osmani dhe Ian Borg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar këtë të enjte me kryesuesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Ian Borg, të cilit i ka thënë se shteti që ajo udhëheqë është në ballë të progresit në rajon sa i përket sundimit të ligjit dhe demokracisë.

Lajmi u bë i ditur nga zyra e presidencës përmes një komunikate për media, ku njoftuan se Osmani dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maltës kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me OSBE-në.

“Përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetëm i OSBE-së”, thuhet në njoftim.

Përveç këtyre, në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.

Në diskutim me ministrin Borg, Presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë “në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut”.

Në këtë frymë, Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.

E para e vendit ka shprehur mirënjohje dhe ka ritheksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore