Lajme

Osmani takon ambasadorin francez, bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi


Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani, dhe ambasadori francez ne Prishtine, Olivier Guerot.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten është takuar me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, me të cilin ndër të tjera ka biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Siç njofton zyra e presidentes, në këtë takim është “konfirmuar gatishmëria për bashkëpunim dhe koordinimin të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Francës sa i përket procesit të dialogut”.

“Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend, si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Osmani falënderoi Francën për mbështetjen e dhënë për Kosovën në Këshillin e Evropës.

Po ashtu, theks i veçantë është vënë në rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në luftimin e grupeve të krimit të organizuar.

Ndryshe, me 2 maj, në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Albin Kurti dhe Aleksander Vucic

Dy do të jenë temat që do të diskutohen në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it me 2 maj: Miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe paraqitja e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kështu të paktën ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media të premten.

Peter Stano

“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë Stano.

Ky takim vjen pasi që Kosova dhe Serbia kanë dhënë PO-në e tyre për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve, e kjo ndodhi fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin zbatues në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore