Lajme

Osmani takohet me shoqërinë civile, diskuton për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me shoqërinë civile.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e 21 prillit është takuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile, me të cilët ka diskutuar për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

Gjatë takimit, ajo ka thënë se çdo rekomandim i identifikuar përgjatë procesit do të shqyrtohet me kujdes të shtuar.

“Është thelbësore që çdo emërim të jetë rezultat i një procesi transparent dhe të drejtë, dhe çdo kandidat të ketë integritet të dëshmuar përgjatë karrierës. Këto janë parime themelore të cilat i kam ndjekur në çdo emërim që kam bërë”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, e para e shtetit ka thënë se do të vazhdojë konsultimet me akterët e tjerë të përfshirë në këtë proces.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se në këtë takim i kanë ofruar Osmanit raportin e monitorimit të procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

“Në takim me presidenten Osmani i ofruam raportin tonë të monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, raport ky i publikuar më 24 mars. Ky takim ishte në kuadër të asaj që presidentja tha se është duke i kontaktuar të gjitha palët që kanë monitoruar këtë proces para vendimit për dekretim ose jo të kandidatit për kryeprokuror”, tha Demolli – Nimani për AP.

Blerim Isufaj për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Të premten e 18 marsit, zyrtarisht kishte nisur intervisitimi i kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Pesë prokurorë, kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadon mandati në prill.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore